Rrugën që s’ua bëri Komuna e bënë vetë! Banorët e Hasanbegut mblodhën të holla për ta shtuar rrugën

Shpërndaje

Me vetiniciativë dhe vetëfinancim banorët e Rrugës 13 në lagjen Hasanbeg të Shkupit kanë asfaltuar rrugën e kjo për shkak se autoritetet komunale kanë lënë pas dore këtë rrugë me vite të tëra.

Me ngjyrë e çimento, këto 10 familje i dhanë nga një mijë euro për të shtuar këtë rrugë. Iniciatori është Ibrahim Demiri arsimtar në shkollën “25 maji” i cili mbi njëzet vite jeton në këtë rrugë. Ai së bashku me inxhinier të ndërtimtarisë kanë bërë projektin e pastaj ia kanë nisur punimet.

“Kemi prit 20 vite të na shtrojnë rrugën shteti mirëpo s’ka reaguar kurrë. Siç shihet kjo është afër 800 m2 dhe ka kushtuar përafërsisht 10 mijë euro. Për shkak se e punojmë këtë punë vet e kemi filluar projektin dhe e kemi përfunduar me sukses”, THA Ibrahim Demiri – banor i lagjes Hasanbeg.

Tash në këtë rrugë mund të shihen fëmijë duke lozur e vozitur biçikletë pa u zhytur në baltë. Po fatin e tillë nuk e kanë edhe banorët e fëmijët nga rrugët tjera të lagjes Hasanbeg. Rruga 22, e shumë rrugë tjera janë në gjendje të rëndë.

“Në këtë rrugë jam prej vitit 70. Kur jemi ardhur ne këtu nuk ka pasur kurrfarë rruge ne e kemi ndërtuar krejt me gurrë me zhavorr krejt vet. Kush nuk ka ardhur asnjë me na thënë çka doni ju në këtë lagje. Megjithëse një herë kanë ardhur këtu kur i kanë marr votat, duke thënë se kanë me ndërtua rrugën, por asnjë nuk ndërtuan”, u shpreh Rexhep Avdiu – banor.

Një banor tjetër rrugët e Hasanbegut i krahason me ato të lindjes së Mesme.

“Halli jonë është se lagjet ku banojnë shqiptarët është njësoj si ato lagjet e Kandaharit apo në Avganistan këtu janë rrugët e ngushta ne kërkojmë që rruga të zgjerohet ashtu siç është në plan urbanistik”, shtoi Xheladin Demiri – banor.

Tjetër banor thotë se autoritetet komunale vinë vetëm kur u duhen vota për zgjedhje.

“I bëjmë apel kryetarit që na i mur votat kur ishte koha e votimeve Borçes kryetarit të Komunës të Gazi Babës, edhe ne jemi njerëz sikur ata në anën tjetër këtu shihet krejt gropa gropa ku secili prej neve ka një makinë çdo njëri prej neve paguan regjistrim kurse paret tona shkojnë tek tjetër kush ne makinat po i shkatërrojmë totalisht”, potencoi Vasuf Demiri – banor.

Kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boris Gjorgjievski nuk kishte kohë sot për të fol para kamerës së TV21. Tha që kohë do të gjej nesër për të treguar planin që ka për rrugët e lagjes Hasanbeg.