ASH-Tetovë: Drejtorët e shkollave plaçkisin nxënësit, dëftesat të jepen falas

Shpërndaje

Përmes një konference për media, dega e Aleancës për Shqiptarët në Tetovë ka reaguar pas denoncimeve të shumta se në disa shkolla po kërkohen para nga nxënësit për dëftesa.

Më poshtë mumd ta lexoni të plotë reagimin e ASH-së.

Sapo mbaroi edhe një vit shkollor dhe nëpër Tetovë përsëri kanë nisur skemat e vjetra për të zhvatur para nga nxënësit dhe prindërit në shkollat fillore dhe të mesme të Tetovës. Shumë nxënës dhe prindër kanë denoncuar ditëve të fundit se po u kërkohen para për dëftesa.

Duke ditur se ligji në fuqi dhe njoftimi i fundit i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) thonë se dokumentacioni i fundvitit sigurohet nga Byroja për Arsim, atëherë ne si Aleancë publikisht pyesim: Kush po i plaçkit nxënësit tetovarë dhe prindërit e tyre? Prej cilës qendër vijnë urdhrat që atyre përsëri t’u merren para?

Ne e kemi të qartë se viktima të këtyre skemave janë edhe mësuesit, arsimtarët dhe profesorët tetovarë të cilët dikush i vë në situata të vështira dhe pikë së pari kërkojmë mirëkuptim për ta, që edhe ashtu janë të shkelur nga mospagesa e punës shtesë gjatë pandemisë.

Por, viktima janë edhe nxënësit dhe prindërit e Tetovës, të cilët pas shpenzimeve të shumta për të siguruar pajisje kompjuterike, telefona dhe internet, tani detyrohen të paguajnë edhe për dëftesa.

Ju bëjmë thirrje atyre drejtorëve të korruptuar, nga partia e korruptuar në pushtet BDI dhe të emëruar nga kryetarja më e dobët në historinë e Tetovës, Teuta Arifi, që urgjentisht të ndalojnë këtë formë të ulët të korrupsionit e keqpërdorimit.

Këta funksionarë po i paralajmërojmë që tani se nëse prej sot e tutje dëgjojmë edhe një rast të vetëm të këtij fenomeni, nuk do të hezitojmë t’i publikojmë me emra, mbiemra dhe fotografi të gjithë ata që po plaçkisin familjet tona dhe ushtrojnë presion mbi mësimdhënësit.

Publikisht i bëjmë thirrje inspektoratit për arsim që të paktën një herë të vetme, ta kryejë detyrën ashtu siç duhet dhe të ndëshkojë ata që nuk kanë mëshirë as ndaj fëmijëve.

Dëftesat me ligj janë të siguruara falas, andaj të dashur nxënës, prindër dhe mësimdhënës të respektuar : Mos heshtni, denonconi çdo tentim për vjedhje, plaçkitje e korrupsion të Tetovës, që t’i luftojmë bashkë këto dukuri, të cilave së shpejti, në tetor të këtij viti edhe zyrtarisht do t’ju vijë fundi! Në këtë betejë Aleancën do ta keni përgjithmonë në anën tuaj, kundër krimit, korrupsionit, vjedhjes dhe plaçkitjes në të gjitha format.