Grenell kujton martirët serbë, reagon Robelli: Injorant që manipulon historinë

Shpërndaje

Ish-i dërguari i posaçëm i ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka kujtuar sot martirët serbë të rënë në betejën kundër osmanëve në Kosovë. Përmes një postimi në rrjetet sociale Grenell shprehet se kjo është një ditë përkujtimore për Shën Princin Llazar dhe dëshmorët e shenjtë serbë.

“Sot nderojmë heronjtë e Vidovdan. Në këtë ditë në 1389, filloi beteja kundër Osmanëve në Kosovë.

Sot është një ditë përkujtimore për Shën Princin Llazar dhe dëshmorët e shenjtë serbë”, shkruan Grenell.

Ky postim i Grenell ka sjellë reagimin e fortë të analisti Enver Robelli, i cili i kundërpërgjigjet në Facebook, duke e akuzuar se po luan rolin e propagandistit serbomadh, që nuk merr vesh asgjë nga historia, por luan rolin e shërbëtorit të Aleksandar Vuçiqit dhe manipuluesit të historisë.

“Paska folë Richard Grenelli në Twitter si me qenë mitingash në tubimin e Sllobodan Millosheviqit në Gazimestan më 28 qershor 1989. I paska përkujtuar «heronjtë e Vidovdanit», «betejën kundër otomanëve», «martirët e shenjtë serbë» dhe «Shën Car Lazarin». Po të qëllonte Grenelli në Gazimestan më 1989, do t’i bashkohej nacionalistëve serbë në bartjen e eshtrave të Car Lazarit nëpër «vendet serbe». Më 28 qershor 2021 Grenell luan rolin e propagandistit serbomadh. Një injorant që nuk merr vesh asgjë nga historia, por luan rolin e shërbëtorit të Aleksandar Vuçiqit dhe manipuluesit të historisë. Mos të harrojmë: Richard Grenelli është dekoruar nga një president i Kosovës me Medaljen Presidenciale të Meritave. Sa i përket historisë: Beteja e Kosovës e vitit 1389 nuk është vendimtare për fatin e Ballkanit. Vendimtare është Beteja e Dytë e vitit 1447 e Mbretërisë Hungareze kundër Perandorisë Osmane. Në atë betejë serbët nuk morën pjesë, ata ishin vasalë të Sulltanit. Por një propagandisti të së djathtës ekstreme amerikane kjo nuk i intereson. Para një viti ky dëshironte të zgjidhte konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Robelli.