Ka ndërruar jetë muhafizi i 200 hafizave, Mahmut ef. Asllani

Shpërndaje

Njoftimi nga BFI:

“MUHAFIZI I 200 HAFIZAVE IA DORËZOI SHPIRTIN KRIJUESIT TË VET”

“Me dhimbje të thellë pranuam lajmin pikëllues se Hafiz Molla Mahmud Asllani ndërroi jetë dhe kaloi në botën e amshueshme.

Hoxha i madh i Tetovës ia dorëzoi shpirtin të Madhit Zot, krenar që ia kushtoi një jetë të tërë Islamit, moralit, dijes, e në veçanti kultivimit të hafizëve në trojet tona.

Mbushi vendin me qindra dijetarë dhe hafizë të mirënjohur. Ai ishte i Islamit, i popullit musliman. Ishte i palodhshëm, i pastër si loti, modest, i urtë, i durueshëm, dinjitoz, i buzëqeshur, i drejtë, i butë dhe me vullnet të paluhatshëm. Deri në fund të jetës nuk pushoi së nxjeruri hafizë të rinj. Dje promovuam dy hafize të reja, të fundit në veprimtarinë tij si muhafiz. Atë e njohi bota, saqë edhe në Arabinë Saudite u dekorua për punën e madhe të tij. Isha krenarë unë, bashkëpunëtorët e mi dhe e gjithë Bashkësia Islame. Ai simbolizonte institut ne vete.

Mulla Mahmudi kaloi në botën tjetër, por mbetet inspirim i gjallë për të gjjthë ne dhe model se si duhet jetuar, si duhet vepruar dhe si duhet vdekur.

Në emrin tim personal dhe në emrin e të gjitha organeve dhe institucioneve të Bashkësisë Fetare Islame shpreh ngushëllimet më të sinqerta për mbarë besimtarët, me lutje All-llahut Fuqiplptë të mos na lë pa ndjekës së udhës së Molla Mahmudit.

All-llahu e mëshiroft me mëshiren e Tij të pakufishme me xhennetin e amshueshëm! Familjes durimin e pashoq!

“Të All-llahut jemi dhe tek Ai, doemos, është kthimi.””

Reisul Ulema i BFI të RMV

H. Hfz. Shaqir ef. Fetai

Njoftimi nga Muftinia e Tetovës:

“Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi”

Me dhimbje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të muhafizit shumë të respektuar të Tetovës, doajenin e hafizave, Mulla Mahmud ef. Asllani, i cili në qetësi ruajti Kur’anin përmes hafizave dhe në qetësi largohet nga kjo botë.

Në emrin e BFI-së Myftinia e Tetovës, në emrin tim personal, në emër të hoxhallarëve, hafizëve dhe në emër të të gjithë besimtarëve, shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, shokëve, nxënësve dhe miqve të tij. E lusim Allahun Fuqiplotë, që hoxhën tonë të dashur ta shpërblejë me xhennet për punën dhe sakrifiicën e tij, në duart e të cilit kanë kryer hifzin afër 200 hafizë të Librit të Allahut, veprimtari kjo e cila do të ngelet e përjetshme në historinë e vendit tonë, ndërsa familjarëve t’u japë sabër.

BFI-Myftinia e Tetovës

Myftiu:

Prof. Dr. Qani ef. Nesimi