Mayweather, fitore e mërzitshme ndaj “youtuber”-it Jake Paul

Shpërndaje

Fitoi, por pa e hedhur në tapet kundërshtarin. Ndeshja e ekzibicionit mes Floyd Mayweather dhe “youtuber”-it, Jake Paul, u mbyll me fitoren e ish-“yllit” të ringut, por që nuk ia doli ta hidhte në tapet kundërshtarin.

Nuk ishte një mbrëmje e paharrueshme në “Hard Rock Stadium” të Miamit. Mayweather për dy raunde nuk i dha më shumë se 3 goditje Jake Paulit, që madje kërkoi të hidhej në sulm, por pa gjetur asnjëherë shenjën.

Që nga raundi i tretë Mayweather provoi me të majtën dhe të djathtën dhe luajti si “macja me miun” përgjatë gjithë mbrëmjes, duke kërkuar të zgjaste një ndeshje që nuk kishte histori.

“Është një ndër momentet më të bukura të jetës sime. Jam i lumtur. Ishte nder që u ngjita në ring me të”, – komentoi Paul, teksa ishte duke u venitur nga lodhja që në fund të raundit të pestë.

Mayweather, nga ana e tij, nuk ia kurseu elozhet: “Është shumë më i mirë nga sa mendoja. Ishte një mbrëmje argëtuese”.

Paul, me 23 milionë ndjekës në Youtube, kishte deklaruar gjatë javës se, nëse do të fitonte, do të ishte surpriza më e madhe në duelet e ringut, dhe nëse fitonte Mayweather, do të kishte mposhtur thjesht një “youtuber”. E rëndësishme është se që të dyve do t’u pasurohen xhepat me një përqindje të mirë të të ardhurave të transmetimit “pay per view”, që ka qenë goxha i shtrenjtë, 49.99 dollarë për çdokënd që e ka ndjekur nga Tv në Amerikë.

Fakt në dritën e të cilit vlen të kujtohet se SuperSport e transmetoi duelin falas për abonentët e tij. Mayweather, 44-vjeçar, theksoi se nuk do t’i kthehet më kurrë boksit kompetitiv dhe do të bëjë vetëm ndeshje ekzibicioni si kjo kundër një “youtuber”-i.