New York, me spektakël fishekzjarresh festohet heqja e masave restriktive ndaj COVID-19

Shpërndaje

Autoritetet e New Yorkut mbrëmë vendosën të heqin pothuajse të gjitha masat kufizuese të vendosura në kuadër të luftës kundër pandemisë COVID-19, ndërkaq kjo ngjarje u shënua me spektakël fishekzjarresh, transmeton Anadolu Agency (AA).

Guvernatori i New Yorkut, Andrew Cuomo tha se qëllimi i procesit të imunizimit ishte arritur dhe se më shumë se 70 për qind e qytetarëve të SHBA-së kishin marrë vaksinat kundër COVID-19.

Cuomo tha se për shkak të kësaj, pothuajse të gjitha masat kufizuese në New York do të hiqen.

“Sot është dita e 472 e luftës kundër pandemisë COVID-19. Nga sot i kthehemi jetës normale. Kjo është shumë e rëndësishme dhe ne e merituam këtë pas një udhëtimi kaq të gjatë”, tha Cuomo.

New Yorku ka qenë epiqendra e pandemisë në SHBA në disa raste ndërsa Cuomo tha se lufta 15-mujore ka dhënë fryte dhe se njujorkezët po dalin nga kjo luftë edhe më të fortë.

Ai tha se heqja e masave kufizuese ishte një akt i fitores ndaj pandemisë dhe kjo ishte arsyeja pse fishekzjarret janë vendosur në dhjetë pjesë të New Yorkut.

SHBA-ja po zbaton imunizimin masiv kundër koronavirusit ndërsa deri më tani më shumë se 70 për qind e popullsisë janë vaksinuar në 15 shtete federale, përfshirë Washington DC. Shteti i Vermontit kryeson në vaksinimin me 84 për qind të personave të vaksinuar.