PS vendos për fatin e presidentit! Meta refuzon të shkojë nesër në parlament, fjalën e fundit e ka “Kushtetuesja”

Shpërndaje

Seanca parashikon tre orë debat dhe më pas votimin, por jo atë elektronik por me letër dhe të fshehtë. Kuvendi i kërkoi Presidentit që të ishte në seancën e së mërkurës, por kreu i shtetit nuk ka pranuar, duke u shprehur se nuk kishte sens të ishte i pranishëm që të dëgjonte gjyqin publik ndaj tij.

Nesër Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet për të votuar nismën e Partisë Socialiste për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta. Shkarkimi i kreut të shtetit do të kërkojë nga Kuvendi vetëm 94 vota, që duket se socialistët i kanë të garantuara, por ka ende vend për “surpriza”.

Sipas ABC, seanca parashikon tre orë debat dhe më pas votimin, por jo atë elektronik por me letër dhe të fshehtë. Kuvendi i kërkoi Presidentit që të ishte në seancën e së mërkurës, por kreu i shtetit nuk ka pranuar, duke u shprehur se nuk kishte sens të ishte i pranishëm që të dëgjonte gjyqin publik ndaj tij. Megjithatë edhe nëse Kuvendi vendos për shkarkimin e Metës, sërish do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të thotë fjalën e fundit.

Por për cfarë akuzohet Ilir Meta në raportin 41 faqesh që Komisioni Hetimor përgatiti me shpejtësi për t’ja çuar Kuvendit? Si ka arritur situata deri këtu?

Prej javësh, presidenti i Republikës Ilir Meta u përfshi në një sërë replikash të ashpra dhe përplasje me Partinë Socialiste ku në fokus ishin zgjedhjet e 25 prillit. Presidenti u zotua se do të mundësonte votën e lirë të shqiptarëve që sipas tij do ti bashkoheshin në një referundum popullor.

Deklaratat e Metës gjatë fushatës arritën majën e tensionit kur kreu i shtetit deklaroi se “do t’ju presim dorën atij që prek votën”, apo “bëni gati sfurqet dhe kosat”. Këto deklarata përfshirë edhe përplasjen me ambasadoren Yuri Kim janë “dënimi” që sipas socialistëve Ilir Meta mori më 25 prill nga shqiptarët, duke i dhënë mandatin e tretë PS-së dhe për këtë Ilir Meta duhet të shkarkohet. Sipas tyre, ishin deklaratat e Ilir Metës që nxitën dhunë dhe provokuan vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan.

Ilir Meta akuzohet nga socialistët për ashpërsimin e klimës parazgjedhore, konfliktin me ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim dhe braktisjen e rolit të simbolit të unitetit kombëtar, mbi palët duke bërë fushatë për opozitën kundër qeverisë.