Publikohen fotografitë kur Ujmani po mbushej me ujë

Shpërndaje

Ish-drejtori i fotografisë në “KosovaFilm”, Afrim Spahiu, ka publikuar pamje gjatë periudhës kur po ndërtohej dhe po mbushej me ujë liqeni i Ujmanit, gjatë vitit 1978.

Spahiu ka shkruar në Facebook se pamjet e xhiruara nga ai pasqyrojnë mbushjen dhe sistemin e kanalizimit për ujitje, duke shtuar se në këtë periudhë situata politike po tensionohej, dhe pas demonstratave të vitit 1981, situata ndryshoi por filmi nuk u krye.

“Jam me fat, që kam arritur të ruaj në arkivin tim disa pamje të fotografuara nga ajri, dhe unë që kam fotografuar para dhe gjatë mbushjes me ujë të sipërfaqes të lumit, me film diapozitiv të formatit të mesëm. Cilësia e filmave është e lartë, por në mungesë të një skaneri profesional, i fotografova me celular për të reflektuar në aktualitetin që ka e ardhmja e Liqenit të Ujmanit (Gazivoda)”, ka shkruar ai.

Çështja e Ujmanit është kthyer përsëri si temë kryesore politike në vend, për faktin se sipas ekspertëve, Qeveria e Kosovës duhet të përgatitet në mbledhjen e të dhënave, për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, që thuhet se do të përfshihet edhe çështja e Ujmanit, eksperti Afrim Lajçi, thotë se më e mira për Kosovën është të trajtohet bazuar në të drejtën ndërkombëtare ujore.