Qeveria dëshiron që viti i ri shkollor të jetë me prani fizike – tha Carovska

Shpërndaje

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska dhe Qeveria duan që viti i ri shkollor të zhvillohet me prani fizike.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Carovska, duke njoftuar se sot MASH-i ka dorëzuar deri te Shtabi i Krizës material për mënyrën e realizimit të vitit shkollor 2021/22.

“Sot Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dorëzuar material i cili është diskutuar në Shtabin e Krizës. Është diskutuar edhe për protokollet. Të gjithë në Qeveri, kryeministri, unë si ministre e Arsimit duam që viti shkollor të fillojë me prani fizike, por sistemi i arsimit është përgatitur për tre skenarë”, tha Carovska, transmeton TV21.

Skenarët janë:

1 – Të gjithë nxënësit të kthehen në banka shkollore,
2 – Një pjesë të nxënësve me prani fizike – nga klasa e 1 -4, tjerët me mësim nga distanca – online, nëpërmjet TV klasa dhe me dorëzim të materialeve nëpër shtëpitë e nxënësve dhe
3 – Të kemi ndarje në grupe – një javë një grup, një javë grupi tjetër.

Ka shtuar, se gjithçka do të mësohet nga situata me Covid-19 gjatë verës dhe në vjeshtë.

“Presim që situata të jetë e qetë në verë dhe vjeshtë”, tha Carovska.