Ramiz Lladrovci thotë se ia njeh Albin Kurtit kontributin në UÇK

Shpërndaje

Ramiz Lladrovci ia njeh Albin Kurtit kontributin në UÇK.

Kryetari i Komunës së Drenasit dhe ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramiz Lladrovci, ia ka njohur kontributin për luftën kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, raporton Gazeta Express.

Lladrovci në një intervistë ka thënë se Kurti ka kontribuar aq sa ka pasur mundësi ta bënte, ndërsa ka theksuar se çdo qytetar ka pasur mundësinë të ndihmojë në ndonjë mënyrë për çlirimin e vendit.

“Çdo qytetar i Kosovës që ka jetuar në Kosovë dhe jashtë saj e ka pasur mundësinë të japë kontributin e tij për çlirimin e vendit. Albin Kurti ka qenë njëri prej asistentëve të të madhit Adem Demaçi i cili ka vepruar në zyrën e drejtorisë politikë në Prishtinë dhe unë konsideroj se ai ka qenë njëri prej atyre që ka kontribuar me aq sa ka pasur mundësi, me aq sa ka ditë, në shërbim të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Lladrovci në ATV.

Ai ka shtuar se nuk ka qenë e lehtë të jesh në Prishtinë bashkë me veprimtarin Adem Demaçi gjatë periudhës kur zhvillohej lufta në Kosovë.

“Nuk ka qenë e lehtë të jesh në Prishtinë me Adem Demaçin, Unë e di që shokët mi, bashkëluftëtarët e mi flasin që Albini nuk ka pranuar ta veshë uniformën apo nuk ka pranu të jetë me armë në dorë, nganjëherë disa punë kryhen edhe pa e pasë armën, edhe pa e pasë uniformën ashtu siç duhet”, ka thënë Lladrovci.

I pyetur për deklaratat e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj se Kurti mund të jetë i shantazhuar nga shërbimet serbe, Lladrovci tha se nuk di për këtë çështje.

“Nuk di për Z. Kurti se a ka qenë i shantazhuar, a e kanë thyer gjatë torturave, nuk e di. Janë institucionet tjera që merren me atë çështje. Për patriotizmin dhe për qeverisjen e Albin Kurtit, pa i bë 100 ditë nuk flas”, ka thënë Lladrovci.

Veprimtaria e kryeministrit Albin Kurti gjatë kohës së luftës u bë temë para disa ditësh, kur ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, tha në Pressing të T7 se Kurtin e ka pasur bashkëluftëtar në UÇK.

Këtë deklaratë Remi e tha pasi u pyet për deklaratën e tij në Bruksel ku tha se Ballkani Perëndimor duhet pastruar skena politike nga kriminelët e luftës dhe të paqes.

“Po flet ashtu sikur ai e njeh problemin, në vendin tonë nuk ka pasur krime lufte nga çlirimtaret. Unë Albin Kurtin e kam pasur bashkëluftëtar. Me Albin Kurtin jam takuar edhe në shtabin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jemi takuar për qëllime të çlirimit të vendit. Ai ka qenë me detyra të veçanta në Drejtorinë Politike. Por, kemi pasur kontakte gjithëpërfshirëse. Gjatë kohës sa ishte pjesë e zyrës së Adem Demaci”, ka deklaruar Remi.