Zaev: Jam i gatshëm ta lus Bullgarinë, Radevi kërkon garanci nga BE-ja në procesin e zgjerimit me Maqedoninë

Shpërndaje

Unë jam i gatshëm të udhëtoj në Sofje, të lus të gjejmë një zgjidhje dhe t’i startojmë bisedimet aderuese me Bashkimin Evropian, deklaroi kryeministri Zoran Zaev, duke shtuar se shpreson se së shpejti do të realizojë takim me kryeministrin teknik bullgar, Stefan Janev. Megjithatë, Zaevi përsëriti se gjuha dhe kombi maqedonas nuk do të jenë pjesë e negociatave. Kërkojmë që Evropa të jetë Evropë, tha kryeministri.

“Lusim për sjellje evropiane. Lusim për sjellje evropiane nga të gjithë fqinjët tanë. Më vjen keq që për momentin Qeveria është teknike, e nuk është politike që të mbajë përgjegjësi, prandaj po e them, gjithmonë jemi me rezerva dhe nuk e dimë a do të ketë vendim. Por, ne duhet të punojmë që të kemi sukses dhe do të ishte e mirë nëse arrijmë sukses, por nëse jo, me siguri do të kemi një hap më shumë për të pasur sukses në gusht – shtator ose në periudhën që vijon. Ne nuk prekim rrënjat apo identitetin e askujt dhe nuk duam që dikush t’i prekë rrënjat tona. Këtu i ruajmë të gjitha identitetet dhe duam që të ruhet edhe identiteti ynë”, tha Zaevi.

Zaev tha se sipas tij, propozimi portugez është bazë e mirë për negociata, ndërsa presidenti i Portugalisë, Marsello de Souza është në Sofje në takim me homologun e tij bullgar, Rumen Radev. Ky i fundit deklaroi se është e rëndësishme që të kthehet dialogu mes Bullgarisë dhe Maqedonisë dhe se kërkon garanci për zgjerimin e BE-së për Maqedoninë.

“Shoh hapje të perspektivës së vazhdimit intensiv të dialogut, për zhvillim të udhërrëfyesve adekuatë, dokumenteve adekuate dhe marrëdhënieve në të gjitha nivele strukturore që do të na japin garanci, të jemi të bindur se procesi i zgjerimit do të jetë efikas, i qëndrueshëm dhe i pakthyeshëm. Sa i përket asaj nëse Shkupi i plotëson kushtet, patjetër, ka një listë me kushte formale”, deklaroi Radev.

Souza i cili është në vizitë të Bullgarisë, pas dy javëve pasi shefi i diplomacisë portugeze Santosh Sillva e solli propozimin portugez në Sofje, tha se Lisbonë e përkrah zgjerimin por tha se Bullgaria dhe Maqedonia duhet t’i udhëheqin negociatat pa bërë shumë zhurmë.

“Ka vende evropiane me pozita të ndryshme në lidhje me çështjen për zgjerimin e BE-së. I përshëndesim dhe na mahnitin përpjekjet për dialog mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. I përkrahim hapat konkrete për mbështetjen e dialogut, por zhurma nuk ndihmon, përkundrazi, pengon”, deklaroi Marsello de Souza, president i Portugalisë.

Deri në mbajtjen e Këshillit të BE-së na ndajnë edhe 20 ditë, kur do të dihet nëse Maqedonia do t’i fillojë negociatat.