Memli Krasniqi, kandidat i vetëm për kryetar të PDK-së

Shpërndaje

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës, Bedri Hamza në një konferencë për media ka folur lidhur me mbajtjen e Konventës së dhjetë të PDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.

Hamza ka theksuar se në këtë Konventë që do të mbahet nesër, gara për të të kandiduar për kryetar të partisë ka qenë e hapur, ndonëse është paraqitur vetëm Memli Krasniqi, i cili zotëron integritet të lartë profesional dhe politik për këtë pozitë, si dhe ai ka marrë përkrahjen e të gjithë anëtarëve dhe strukturave.

“Ka qenë një proces i hapur. Të gjithë ata që kanë pasur dëshirë dhe gatishmëri kanë mundur të hyjnë në garë për t’u zgjedhur si kryetar i PDK-së. Aktualisht e kemi një kandidat dhe ai është Memli Krasniqi, një personalitet i cili i plotëson të gjitha kushtet për t’u zgjedhur kryetar i PDK-së.”, ka thënë Hamza

Ai ka thënë se PDK-ja ka treguar qëndrueshmëri edhe pse ka qenë e goditur nga shkuarja e Kryetarit Veseli dhe Presidentit Thaçi në Hagë.

“Eshtë një proces për ta zgjedhur një kryetar i cili e kthen PDK-në fuqishëm drejt fitores për ta qeverisur vendin. Ne kemi treguar një qëndrueshmëri dhe kemi arritur që të jemi partia më e madhe opozitare.”, ka përfunduar ai.