Opozita shqiptare: TVSH-ja prej 5% për rrymën të vlejë deri në vitin 2032

Shpërndaje

Partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, i kanë akuzuar partitë në pushtet për mashtrim të qytetarëve, në lidhje me TVSH-në për energjinë elektrike.

Nga ASH dhe AAA, kërkojnë që TVSH-ja prej 5% për rrymën, të vlejë deri në vitin 2032. Nga këto parti thonë se ulja e TVSH-së nga 18 në 5%, mbulon rritjen e çmimit të rrymës për 12.36 %.

“Zvogëlimi i TVSH-së për energjinë elektrike nga 18% në 5 % mbulon vetëm rritjen e çmimit prej 12,36%, por me këtë qytetarët aspak nuk do te paguajnë më pak. Pra një faturë e paguar për muajin qershor pa zvogëlim të TVSH-së është e njejtë për qytetarin me një fature pas zvogëlimit të TVSH-së dhe rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Madje faturat vazhdojnë të jenë të rritura për 7,4 % nga shtatori i vitit të kaluar, që i bie se për një faturë prej 3 000 den, prej atëherë e këndej, qytetarët kanë paguar dhe vazhdojnë të paguajnë për 220 den më shumë”.

“Ndërkohë me këto manevrime, derisa qytetarët paguajnë çmim të njëjtë, paratë që më herët përmes TVSH-së kanë shkuar në buxhet, tani hiqen nga buxheti me zbritjen për 13% dhe ju jepen kompanive energjetike përmes rritjes së çmimit për 12.36%. Mashtrimi më i madh dhe dëmi më i madh ju bëhet qytetarëve përmes dy dispozitave në propozim ligj. Njëra e kufizon që TVSH-ja prej 5% të vlejë deri më 30 Qershor të vitit 2022. Kjo do të thotë se Qeveria planifikon ti mashtrojë qytetarët vetëm gjatë kohës së zgjedhjeve lokale dhe dispozita e dytë, parasheh që nga 1 korriku 2022 deri më 30 Qershor 2023, TVSH-ja të rritet në 10%. Dispozitat e këtilla janë të vlefshme vetëm gjatë afatit të definuar. Kjo nënkupton se pas 1 korrikut 2023 qytetarët do të paguajnë 18% TVSH plus 12.36% rritjen e çmimit që e solli Komisioni Rregullator për Energjetikë”, thonë nga ASH-AAA.

Më tej shtojnë se ata si grup parlamentarë, propozuam dy amendamente.

“I pari parasheh që TVSH-ja prej 5% për energji elektrike të vleje jo deri në vitin 2022, por gjatë 10 viteve të ardhshme, deri në vitin 2032. Me amendamentin tjetër, propozojmë që të fshihet dispozita e dytë që parasheh rritje të TVSH-së në 10% për vitin pasues. Me propozimin e Qeverisë, është bërë edhe një padrejtësi tjetër. Ulja e TVSH-së për një vit në 5% dhe një vit në 10%, vlen vetëm për amvisëritë, ndërsa industritë do të vazhdojnë të paguajnë 18% TVSH pa asnjë lehtësim. Kjo përveç sipërmarësisë që do të goditet drejtpërdrejtë, do ketë përsëri qytetarët, pasi do të rriten çmimet e produkteve shërbimeve. Ne kemi propozuar me amendamente që gjatë vitit të ardhshëm për sipërmarrësit, gjegjësisht industritë TVSH e energjisë të jetë 5%, ndërsa në vitin pasues 10%”.

“Nëse shumica parlamentare ka pak ndërgjegje dhe nuk do ti bashkëngjitet mashtrimit dhe plaçkitjes së qytetarëve që e planifikon Qeveria, atëherë ju bëjmë thirrje që të mbështesin amendamentet tona me të cilat ulja e TVSH-së në 5% të vlejë gjatë 10 viteve dhe jo vetëm një vit, sa ti kalojnë zgjedhjet lokale, ndërsa gjatë dy viteve të ardhshme tu lehtësohen shpenzimet sipërmarrësve dhe përmes tyre qytetarëve duke mbajtur stabilitetin e çmimeve”, thonë nga ASH-AAA