Pagat mbi 1000 euro, humbjet miliona euro!

Shpërndaje

“Elektro Ekonomia e Maqedonisë” kryeson më afër 17 milionë humbje të realizuara në vitin 2020. Në vendin e dytë me humbje prej 384 milionë denarë apo afër 6 milionë euro renditet Ndërmarrja Shtetërore e “Hekurudha Transporti”, ndërsa në vendin e tretë me humbje prej afër 5.8 milionë euro është Shoqata Aksionare për shërbime të navigacionit ajror “M-NAV”. Humbje prej afër 5 milionë euro ka shënjuar edhe Ndërmarrja Shtetërore e “Hekurudha Infrastruktura”

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 17 korrik – Ndërtimi i banesave, pikë pagesat e rrugëve me tetë milionë euro, Lotaria… janë disa nga kompanitë shtetërore që kanë punuar me fitime të mëdha në vitin e kaluar. Nga ana tjetër, vetëm pesë kompanitë që kanë punuar me humbje nga sektori i energjetikës, hekurudhave dhe sektorit të transportit ajror – kanë krijuar humbje prej afër 40 milionë euro. Analiza e Ministrisë së Financave e bazuar në raportet financiare të 29 ndërmarrjeve shtetërore dhe shoqatave tregtare në pronësi shtetërore, tregon se ato në vitin 2020 kanë pasur të ardhura prej 36.482 milionë dhe harxhime prej 34.502 milionë denarë si dhe fitim në total kur anulohen humbjet, fitim prej 1.980 milion denarë.

Raporti më tej zbardh se Ndërmarrja Shtetërore e Prodhimit të Energjisë Elektrike – “Elektro Ekonomia e Maqedonisë” kryeson më afër 17 milionë humbje të realizuara në vitin 2020 listën e ndërmarrjeve publike që nuk mund të lëvdohen me rezultatet e arritura. Në vendin e dytë me humbje prej 384 milionë denarë apo afër 6 milionë euro renditet Ndërmarrja Shtetërore e “Hekurudha Transporti”, ndërsa në vendin e tretë me humbje prej 358 milionë denarë apo afër 5.8 milionë euro është Shoqata Aksionare për shërbime të navigacionit ajror “M-NAV”. Humbje prej afër 322 milionë denarë apo afër 5 milionë euro tregon Ndërmarrja Shtetërore e “Hekurudha Infrastruktura”.

Edhe kompania tjetër energjetike në pronë si të shtetit për transmetimin e rrymës – “Mepso”, vitin e kaluar ka shënuar humbje prej 358 milionë denarë. Shoqata aksionare “Aeroportet e Maqedonisë së Veriut” vjet ka pasur humbje prej 222 milionë denarë si rrjedhojë edhe e kufizimit të lëvizjes së pasagjerëve të shkaktuar nga pandemia, ndërsa nga të njëjtat shkaqe dhe mos mbajtja e eventeve të ndryshme, si dhe ndeshjeve sportive – humbje ka shënuar edhe Qendra sportive rekreative “Boris Trajkovski”, në Shkup me 50 milionë denarë. “Posta e Maqedonisë” vite me radhë nuk mund të mburret me rezultate pozitive financiare, ndërsa në vitin 2020, ka humbje prej 94 milionë denarë. Ndërmarrja Shtetërore e Pyjeve gjithashtu shënon humbje prej 83 milionë denarë.

Edhe ndërmarrjet në pronësi të shtetit që ekonomizojnë me ujin në qytete të ndryshme me vite tregojnë humbje në punën e tyre. Ndërmarrja shtetërore “Zletovica” nga Probishtipi shënoi humbje prej 140 milionë denarë në vitin e kaluar, ndërsa ndërmarrja publike “Strezhevo”, nga Manastir tregoi minus prej 235 milionë denarë. Humbje, por më të vogël, ka shënuar edhe ndërmarrja e Ekonomizimit të Ujërave në nivel të shtetit me humbje prej 28 milionë denarë, “Studençica” nga Drugova afër Kërçovë s me minus 3.4 milionë denarë dhe “Lisiçe”, nga Velesi me humbje prej afër 41 milionë denarë.

Mirëpo, analiza e Ministrisë së Financave për të ardhurat e realizuara dhe shpenzimet e ndërmarrjeve shtetërore apo publike tregon se nuk është i vogël edhe numri i kompanive që kanë pasur rezultate pozitive financiare në vitin 2020. Fitime më të mëdha nga kompanitë që menaxhohen nga shteti, tregon Ndërmarrja Shtetërore e Rrugëve me afër 4.8 miliardë denarë, Lotaria Shtetërore me 410 milionë denarë dhe Radio Televizioni i Maqedonisë me 74.5 milionë denarë. Rezultate pozitive shënon edhe Ndërmarrja e shtetit për ndërtimin dhe ekonomizimin me banesa me 32.5 milionë denarë, Ndërmarrja nacionale e Radio Difuzionit me 44.6 milionë denarë, Gazeta Zyrtare me 15.3 milionë denarë, si dhe Termocentrali i Negotinës me 5.6 milionë denarë. (koha.mk)