Takimi Merkel-Biden, flitet për Kosovën

Shpërndaje

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka pritur në Shtëpinë e Bardhë kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.

Dy njerëzit më të pushtetshëm në botë kanë arritur pajtueshmëri në disa fusha mbi atë që e quajtën “Ri-ngritje të Aleancës Transatlantike” të kryesuar nga Gjermania e Amerika.

Në mesin e temave që diskutuan Biden e Merkel, që është vizita e saj e fundit në Uashington para pensionimit politik, ishte Ballkani Perëndimor.

“Ne u pajtuam për rëndësinë e integrimit të mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor në institucionet e Bashkimit Evropian. Gjithashtu vazhdimin e përkrahjes tonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Pra, e përkrahim rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe aspiratat e tyre euro-atlantike”, tha Biden.

Në konferencën e përbashkët me Merkel, Biden vazhdoi me përcjelljen e porosive.

“Ne jemi të bashkuar, vërtetë të bashkuar në angazhimin tonë që të luftojmë korrupsionin, prapambetjen demokratike e populizmin në Bashkimin Evropian, si dhe te vendet që synojnë të hyjnë në BE apo kudo tjetër në botë”, shtoi presidenti amerikan.

Për këtë qëndrim amerikano-gjerman reagoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Faleminderit presidentit të ShBA-së, Joe Biden, dhe kancelares Merkel për dërgimin e mesazhit të qartë të mbështetjes për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE në deklaratën e tyre të përbashkët. Me përkrahjen tuaj, ne do t’i kundërshtojmë fuqishëm ata që përpiqen ta destabilizojnë rajonin tonë”, ka shkruar ajo në Twitter.