Zaev: Paga minimale është 15.200 denarë dhe kjo është pak

Shpërndaje

Këto vite kemi zgjidhur probleme historike dhe nuk ka dilemë – vazhdojmë më tej që të jemi shembull, kështu tha kryeministri Zoran Zaev në Valandovë.

Foli për marrëveshjen e Prespës dhe atë me Bullgarinë, duke vlerësuar se para disa ditësh në Forumin e Prespës u mblodhën liderët botërorë, të cilët siç tha, shprehën respekt për Maqedoninë e Veriut.

Arritja e marrëveshjeve brenda dhe jashtë vendit, siç tha ai, ka bërë që të stabilizohet ekonomia dhe ka përmendur rritjen e rrogës minimale dhe uljen e papunësisë, që sipas tij është ulur nga 24.2% në 16%.

“Shprehën mirënjohje për atë çfarë ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut. Këtë e kemi bërë me të gjitha marrëveshjet jashtë dhe në shtëpi për shkak të ekonomisë. Kemi arritur ekuilibër dhe një shoqëri për të gjithë me të gjitha komunitetet në shoqërinë tonë. Pse? Që të ketë paqe, stabilitet, të ketë bashkëpunim dhe dorëdhënie dhe nëpërmjet kësaj të ketë ekonomi, standard ekonomik. Rezultatet tanimë i kemi. Nuk ka më pagë 8.500 denarë. Paga minimale nuk ishte para qindra vjetësh apo 20 vjetësh 8.500 denarë, por ishte para 3 vjetësh e gjysmë. Sot është 15.200 denarë dhe kjo është pak. Por, kjo pagë minimale bëri përparim pozitiv për të gjitha pagat. Për këtë, para 4 vjetësh paga mesatare në vend ishte 22 mijë denarë, sot është 28 mijë denarë. Për 6 mijë denarë e rritëm edhe pagën minimale, edhe pagën mesatare”, tha Zaev, transmeton TV21.