Ahmeti: Misioni i Hasan Prishtinës nuk ka mbaruar, vazhdon me rrugën drejt Bashkimit Europian

Shpërndaje

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti sot ishte i pranishëm në Tribunën tematike “Kauzat shqiptare – para dhe pas Hasan Prishtinës”. Në fjalimin e tij para të pranishmëve, kryetari Ahmeti ka folur mbi rezistencën dhe lëvizjet politike e diplomatike.

“Hasan Prishtina do të mbeteshte udhërrëfyes për tërë Lëvizjen Patriotike Shqiptare. Porosia e parë e tij ishte nuk duhen as çifligjet, as pasuria pa liri, pa integritet, pa shtet dhe jo rastësisht e shkriu të tërë pasurinë sepse pa integritet e sovranitet, pa liri kombëtare hiç ma shumë se sa një fluskë sapuni të tëra çifligjet mbeteshin. Mësuam shumë nga ky atdhetar, dijetar. Mësuam mbi lëvizjet të përhershme, rezistencën, mbi lëvizjet politike e diplomatike. Ishte një periudhë shumë të vështirë si Kryeministër i Shqipërisë, një periudhë ku veçmë ishin përmbyll të gjitha projektet dhe planet që nga Konferenca e Shën Stefanit ku hapësirat shqiptare hiç ma shumë se sa një copë tregu për të kënaqur apetitet e vëndeve gllabëruese fqinje. Hiç ma shumë se sa një shprehje gjeografike dhe fillimet janë që në Konferencën e Shën Stefanit që gjithmonë e më tepër copëtoheshin, sakatoheshin, dëboheshin shqiptarët, aplikoheshin elaborate nga Moska nga Beogradi, nga vendet fqinje”, ka thënë kështu kryetari Ahmeti në fjalimin e tij.

Sipas Ahmetit, Hasan Prishtina hyni në një veprimtari për të organizuar një rezistencë po jo më tani të izoluar vetëm brenda shqiptarëve por duke krijuar aleanca.

“Në këtë periudhë që është një periudhë shumë interesante pas Versajës, Hasan Prishtina hyni në një veprimtari për të organizuar një rezistencë po jo më tani të izoluar vetëm brenda shqiptarëve por duke krijuar aleanca me kroatët, malazezët, për një kryengritje të përbashkët kundër Perandorisë Jugosllave që ishte krijuar edhe atë në nivele goxha të larta shtetërore në bashkëkoordinim dhe bashkë pajtim edhe me dy qendra evropiane, Vienën dhe Romën me ç’rast fillojnë aktivitetet për instalimin e trupave të specializuara për të përgatitur rezistencën e përbashkët. Me të hetuar dhe me t’u lajmëruar qendrat tjera si Berlini, Londra, Parisi atëherë kjo veprimtari ndalohet dhe të gjithë ekspertët që ishin instaluar në hapësirat shqiptare si në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Prishtinë, Prizren u detyruan të kthehen sërish në Bari të Italisë dhe i tërë ai investim që bëri Hasan Prishtina nuk u realizua për shkak se u sabotua, u bojkotua dhe u shantazhua nga fuqitë e mëdha me të vetmin qëllim që të funksionojë Konferenca e Paqes që në të vërtetë nuk e vendosi paqen. Ashtu siç nuk përfundoi edhe Lufta e dytë botërore pa përmbylljen e çështjes së pazgjidhur shqiptare dhe dy shtete që u krijuan në Konferencën e Versajës, të vetmet, Jugosllavia dhe Iraku. Njëra u shpërbë dhe tjetra është duke funksionuar, por me një funksionalitet pa një fund të ditur”, ka theksuar më tej kryetari i BDI-së, Ahmeti.

Më tej, kryetari Ahmeti ka folur edhe për misionin e pambaruar të vendeve tona për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Kështu që, shembulli i Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, puna e tyre, Azem Bejtës, Bajram Currit që në një dokument që ia kemi dorëzuar Akademisë së Shkencave të Prishtinës nuk e di pse nuk publikohet për Bajram Currin, ku Moska kërkon ekzekutimin e tij sepse vlerësohet se është shumë i rrezikshëm ky tribun popullor, dhe jo rastësisht ekzekutohet Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, helmohet Ismail Qemali, që përfundimisht planet të cilat ishin vendosur në Konferencën e Shën Stefanit dhe të vulosura në Konferencën e Versajës të jenë funskionale. Unë jam shumë krenar bashkë me bashkëveprimtarët dhe përderisa këtu kam dëshmitar Sadri Ramabajën asnjëherë skemi pushuar në drejtim të organizimit, në drejtim të mobilizimit, dhe më në fund të arritjet së qëllimit të Hasan Prishtinës dhe të gjithë patriotëve që kishin dhënë aq shumë djersë e gjak që ne ta realizojmë përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jo njëherë e kam thënë që të gjitha ushtritë pas Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nënë e kanë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe një ushtri ka qenë ajo e Kosovës që kanë lindur tani Ushtri Çlirimtare Kombëtare, Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanovc por kemi përpara edhe shumë punë për të bërë, misioni ynë akoma nuk ka mbaruar, vazhdon vendet tona duhet të jenë të anëtarësuara pranë Bashkimit Europian, sepse ma europian se ne shqiptarët që kemi dhënë dhe kemi bërë për Europën nuk mund të jenë të tjerët, fundi fundit atdheu i parëvë të këtyre europianëve është pikërisht mesdheu ku ne jetojmë sot dhe Europa nuk do të jetë e qetë, e rahatshme edhe pa shqiptarët brenda, ashtu siç jemi në NATO. Ne punojmë, veprojmë që edhe Kosova sa më parë të jetë anëtare e NATOs dhe bashkërisht të aderuar në Bashkimit Europian. Ndaj ne z. Ramabaja nuk bëmë më shumë aq sa u angazhuan Hasan Prishtina, Isa Boletini, Azem Bejta e Bajram Curri e Kalosh Dani. Prandaj këtu ku jemi gjërat i kemi lëviz për së mbari, ortekun e punëve të mira ta lëvizim edhe më tutje deri në përmbylljen e misioneve tona”, ka përmbyllur kështu fjalimin e tij, kryetari i BDI-së z. Ali Ahmeti.