ASH: Jeta në Tetovë, mbeturina në çdo cep dhe pa ujë të pastër në pandemi

Shpërndaje

“Jetë në pandemi, me mbeturina në çdo cep dhe pa ujë të pastër! Kështu zhvillohet jeta sot në qytetin e Tetovës. Kjo është duke ndodhur jo për shkak të kushteve natyrore, por për arsye të keqmenaxhimit dhe korrupsionit që mbizotëron në komunën tonë”, thuhet ne reagimin e Aleances per Shqiptaret, Dega Tetovë.

“Për autoritetet komunale, të cilët ka një kohë të gjatë që nuk ndërmarrin asnjë veprim, ndoshta edhe është normale që qyteti të ngulfatet dhe të mbulohet nga mbeturinat. Për këta ndoshta është normale që qytetarët të mbeten për ditë të tëra pa ujë, pa mos përmendur kaosin urbanistik e shumë probleme të tjera të kësaj natyre. Por, për ne qytetarët, kjo gjendje nuk është aspak normale!

Të jetosh në shekullin XXI dhe vazhdimisht të përballesh me probleme jetike mesjetare është diçka e paperceptueshme. Mungesa e ujit është një problem i pazgjidhur vite me radhë dhe është një zgjidhje e problemit e premtuar nga BDI në çdo cikël zgjedhor. Ka disa ditë radhazi që nëpër çezmet e amvisërive të qytetarëve nuk rrjedh as edhe një pikë ujë. Athua vallë, kaq i vështirë është sigurimi i ujit për një qytet që ndodhet pranë Malit Sharr!? Autoriteteve lokale duhet t’ua përkujtojmë se ende vazhdojmë të jemi në kushte pandemie dhe se uji është njëri prej elementeve kryesore për mbrojtje nga ky virus. Është koha e fundit të ngrisim zërin dhe t’i themi JO katrahurës që po e gllabëron qytetin tonë. Tanimë nuk themi është koha për ndryshim, por për shpëtim. Në Tetovë nuk ka kushte elementare për jetë!”, mbyllet reagimi i ASH-së