Fjala e Kryeministrit Kurti për masat e reja anti-COVID

Shpërndaje

Për të ulur sa më shpejtë numrin e infektimeve dhe për të parandaluar shpërndarjen e virusit, krahas vazhdimit të vaksinimit masiv, morëm vendim për shtimin e masave mbrojtëse dhe numrit të punonjësve shëndetësorë që do të angazhohen në betejën me pandeminë.

Disa nga masat që i miratuam janë: kufizimi i qarkullimit të qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00; shtyrja e fillimit të vitit të ri shkollor; të gjithë personat që hyjnë në Kosovë duhet të pajisen me test PCR ose me dëshmi të vaksinimit së paku me dozën e parë, në të kundërtën duhet të vetizolohen për shtatë ditë; shërbimi i gastronomisë lejohet vetëm në hapësira të hapura; u ndalohet veprimtaria klubeve të natës, ndalohen dasmat, ahengjet, festivalet e koncertet.

Vaksinimi, mbajtja e distancës, maskës dhe e higjienës mbesin masat më efikase për mbrojtje nga virusi.

Fjala ime nga mbledhja e Qeverisë:

E nderuara zëvendëskryeministre Rexhepi,

Të nderuar ministra dhe zëvendësministra,

Mirë se e gjejmë njëri-tjetrin në këtë mbledhje të 32-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sot me datë 28 gusht 2021.

Të dashur qytetarë,

Masat kundër pandemisë gjithnjë i kemi propozuar dhe i kemi miratuar në raport me situatën epidemiologjike, duke qenë gjithnjë të kujdesshëm që të bëjmë balancimin në mes shëndetit publik dhe atij ekonomik.

Kur situata epidemiologjike përmirësohej i lironim masat. Kur përkeqësohej ishim të detyruar që t’i shtrëngojmë ato.

Me aprovimin e vaksinës kundër COVID-19 ndryshoi edhe raporti me pandeminë. Nga parandalimi, dalëngadalë e me kujdes u kthyem në kundërsulm nëpërmjet vaksinimit.

Siç e dini vaksinimin sipas prioriteteve e filluam nga fundi i marsit, kurse vaksinimin masiv nga 15 qershori.

Edhe pse e nisëm vaksinimin të fundit në rajon, gjatë muajit gusht, për disa javë ishim vendi me mesataren javore më të lartë të vaksinimit. Në javën e tretë të gushtit u administruan plot 128 mijë vaksina, gjë që shënoi mesataren javore më të lartë prej 10,150 vaksinimeve në 1 milion banorë – më shumë se mesataret më të larta të shënuara nga secili vend i rajonit.

Krahas procesit të vaksinimit dhe në përputhje me situatën epidemiologjike, që shënonte rënie të vazhdueshme të rasteve, liruam masat duke u kujdesur që t’i japim shtytje edhe ekonomisë sonë të brishtë.

Lirimin e masave e shoqëruam me paralajmërimin se një valë përkeqësimi e situatës epidemiologjike me variantin Delta do të jetë e pashmangshme në muajin shtator.

Tani kur situata epidemiologjike sërish u përkeqësua jemi të detyruar që paralelisht me vaksinimin masiv, të marrim edhe masa kufizuese – që sikurse në fillim të qeverisjes sonë, kanë për qëllim ndërprerjen sa më të shpejtë të trendit të rritjes dhe pastaj uljen e tij.

Që të parandalojmë përhapjen e virusit te grup moshat e reja, jemi të detyruar që ta shtyjmë fillimin e vitit të ri shkollor. Ruajtja e shëndetit kërkon që ta sakrifikojmë përkohësisht edhe lëvizjen tonë deri në përmirësimin e gjendjes. Që ta zvogëlojmë qarkullimin e virusit COVID-19 në variantin Delta duhet ta zvogëlojmë qarkullimin e njerëzve.

Masat që patëm marrë në prill të këtij viti rezultuan të suksesshme. Jemi të bindur se edhe këto masa që do të marrim sot do të jenë të suksesshme në raport me qëllimin e tyre.

Deri me 6 shtator presim që të arrijnë edhe 650 mijë vaksina. Kemi rritur kapacitetet, ndërsa po shohim që edhe interesimi i qytetarëve për vaksinim po shtohet. Dhe kjo na jep shpresë që krahas respektimit të masave do të mund t’ia dalim së bashku ta fitojmë këtë betejë, e gradualisht edhe luftën kundër pandemisë COVID-19.

Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta të gjithë atyre që virusi vrastar ua mori më të dashurit.

Bashkëndjej me secilin qytetar që sot po kalon pasojat e infektimit. Ju bëj thirrje të gjithëve dhe secilit për kujdes të shtuar, sidomos të rinjve e të rejave, që posa t’ju shfaqen simptomat e para të kërkojnë urgjentisht ndihmën e mjekëve, të cilët i falënderoj shumë për angazhimin e palodhshëm në mbrojtje të shëndetit tonë.

Ata që nuk janë vaksinuar i lus që të vaksinohen sa më shpejtë sepse vaksina është zgjidhja e duhur dhe e vetme për t’u mbrojtur nga virusi.