Ligji për ndërtimet pa leje ende përpunohet

Shpërndaje

I pa nënshkruar nga presidenti Pendarovski dhe më pas i tërhequr nga Kuvendi, propozim – ligji për legalizimin e ndërtimeve pa leje ende gjendet në Ministrinë e transportit. Ministri Bllagoj Boçvarski thotë se propozim-ligji pas vërejtjeve tani gjendet në përpunim. Në periudhën në vijim ligji do të dërgohet në Qeveri dhe më pas për votim në Kuvend nëse deputetët pajtohen se ky ligj është i mirë.

“Në pjesën e zonave të mbrojtura kemi qasje më të kujdesshme me çka besoj se me miratimin e versionit përfundimtar që do shkojë në Kuvend dhe më pas do e informojmë opinionin për tekstin përfundimtarë të ligjit”- deklaroi Bllagoj Boçvarski, ministër i transportit.

Propozim-ligji i ri për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje nuk u nënshkrua nga presidenti Stevo Pendarovski pas kritikave të shumta në opinion dhe për shkak të disa pikave kontestuese në tekstin e ligjit. Ndryshe, ky ligj u miratua në kohën e Nikolla Gruevskit dhe ishte me vlefshmëri prej 10 vjetëve, por kjo Qeveri vendosi ta vazhdojë afatin. Plani është ligji të vlejë për qytetarët që kanë dorëzuar kërkesë për legalizim deri në vitin 2018 e që ende nuk kanë arritur t’i legalizojnë objektet që i kanë ndërtuar deri në vitin 2011. Sipas informatave kanë ngelur edhe 140 mijë lëndë të pazgjidhura për çka janë dorëzuar kërkesa për legalizim nëpër komuna. Deri më tani janë legalizuar mbi 260 mijë objekte.