Maqedonia në flakë, Zaevi me ministra në plazh! Nga Qeveria thonë se koordinimet po i bëjnë me telefon e internet

Shpërndaje

Dita e tretë e gjendjes së krizës në vend. Maqedonia e Veriut vazhdon të përballet me zjarre. Në shumë vende vatrat janë ende aktive, ndërsa kryeministri Zoran Zaev dhe një pjesë e kabinetit të tij kanë shkuar pushime. Në rrjetet sociale qarkullon kjo foto, ku në të majtë duket kryeministri Zaev, ndërsa në të djathtë Ministri i Drejtësisë Mariçiq. Nga Qeveria konfirmojnë se një pjesë e kabinetit është në pushim. Thonë se ditët e pushimit vjetor kanë nisur t’i shfrytëzojnë nga data 3 e do të kthehen më 12 gusht. Koordinimet për zjarret i bëjnë përmes telefonit dhe internetit.

“Qeveria çdo ditë i kryen të gjitha funksionet e saj, ndërsa për gjendjen me zjarret ministrat çdo ditë mbajnë senaca përmes video-lidhjeve online dhe pa pengesë sjellin të gjitha vendimet e nevojshme. Në përputhje me koordinimin e ndërsjellë, një pjesë e ministrave në këtë periudhë nuk do t’i shfrytëzojnë ditët e pushimit vjetor, me qëllim që të sigurohet koordinim si në terren poashtu edhe nga zyra”, deklarojnë nga Qeveria.

Për këtë ikje të kryeministrit në pushim, përmes një kumtese ka reaguar partia opozitare VMRO-DPMNE, nga ku shkruajnë se përderisa Zaev dhe ministrat janë në plazh, populli vetë po përballet me zjarret. Më vonë për gjendjen me zjarret reagoi edhe nënkryetari VMRO-DPMNE, Vllado Misajllovski.

“Tre ditë nuk ka asnjë gjurmë nga Zaevi. Ai është i pari përgjegjës për gjendjen. Nuk mund që pushimi i tij të jetë më i rëndësishëm nga jeta e qytetarëve. Ai dhe gjithë zyrtarët paguhen nga paratë e qytetarëve, nga të njëjtit që tani luftojnë për jetë dhe luten për ndihmë. Shpallën gjendje krize dhe u zhdukën”, tha Vlladon Misajllovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Nga Qeveria informojnë se këto ditë sa Zaev dhe një pjesë e qeverisë është në pushim, koordinimin me gjendjen po e bën zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi bashkë me Ministren e Mbrojtjes Shekerinska, atë të Transportit Boçvarski, Bujqësisë Hoxha, Shoqërisë Informatike Shaqiri, Arsimit Carovska, ndërsa në pushim nuk kanë shkuar as një pjesë e zëvendësministrave, përfshirë atë për Punëve të Brendshme./TV21