Mbërrijnë 29 aparatet me ventilim me oksigjen për fshatrat Çegran, Forinë dhe Çajlë, donacion nga mërgata në Zvicër

Shpërndaje

Kanë mbërri të gjitha 29 aparatet e ventilimit me oksigjen, të cilat bashkatdhetarët nga Zvicra i dërguan për fshatra Çegran, Forinë dhe Çajlë. 24 janë vendosur te barnatorja “Medi Farm” në fshatin Çegran, kurse pesë u janë dorëzuar mjekëve amë në ambulantet në fshatrat e lartpërmendura.

“Të gjitha pajisjet janë testuar dhe janë në gjendje për t’u vendour në përdorim. Përpos banorëve në Çegran, Forinë dhe Çajlë, këto aparate do të mund të përdoren për raste urgjente nga mjekët amë edhe nga vendbanime të tjera. Pas përfundimit të terapisë, të njëjtat do të duhet të kthehen te barnatorja jonë. Shfrytëzimi i këtyre aparateve është falas, pasi ashtu kanë kërkuar Fondacionet e mërgimtarëve në Zvicër nga tre fshatrat në fjalë”, thotë Suade Iseini, farmaciste e specializuar nga barnatorja “Medi Farm” në Çegran.

Këto aparate vijnë në një kohë mjaftë të rëndësishme, pasi të njëjtat mund të shfrytëzohen nga pacientë të prekur nga Covid – 19. Ato mund të përdoren edhe nga pacientë të cilët vuajnë nga sëmundje të tjera.