Mbledhja e Qeverisë, Kurti tregon vendimet e rëndësishme në 20 pika

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendime të rëndësishme në 20 pika.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “sot e bëmë një hap drejt përmbushjes së njërit nga prioritetet e Qeverisë, që parasheh shtesat e fëmijëve, si një formë kontributi për rritjen e mirëqenies së tyre sociale.

“Nëpërmjet zbatimit të masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, po vazhdojmë mbështetjen e familjeve dhe punëtorëve që pësuan nga pandemia COVID-19”, ka shkruar Kurti.

Më tej, ai thotë se “nga 12 milionë euro të ndara për mbështetje të familjeve, 4 milionë për përkrahjen e familjeve që humbën kryefamiljarin nga pandemia; 1 milion për sigurimin e kuponëve të ushqimit për familjet në nevojë; 7 milionë për pagesën e lehonave dhe shtesave për fëmijë”.

“Për mbështetjen e punësimit nga 15 milionë eurot e ndara, 5 milionë për të ndihmuar rikthimin në punë të atyre që humbën vendin e punës; 5 milionë për të punësuarit e formalizuar dhe 5 milionë të tjerë për punësimin e grave”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Kurti thotë se “për punonjësit shëndetësorë të cilët angazhohen pa kursim në mbrojtje të shëndetit tonë, ndamë 2 milionë e 700 mijë euro, nëpërmjet të cilave do të mund të marrin shtesën neto prej 10 për qind të pagës bazë, por jo më pak se 60 euro, për muajt gusht, shtator dhe tetor 2021”.

“Miratuam vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e masës për subvencionimin e kredive investive për prodhuesit vendorë”.

“Më qëllim të përmirësimit dhe efikasitetit të sistemit të asistencës sociale, si dhe zhvillimin e masave aktive të tregut të punës, shqyrtuam nismën për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”, vlera të cilit pritet të arrijë deri në 47 milionë euro”.

Kurti shkruan se “ofrimi i mbështetjes së viktimave që pësojnë nga dhuna e cilësdo formë është përgjegjësi dhe obligim. Andaj miratuam Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndihmë Juridike Falas të viktimave të dhunës në familje dhe formave të tjera të dhunës, ku përfshihen edhe personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-99”.

“Miratuam edhe katër projektligje: Projekt Kodin e Procedurës Penale, Projektligjin për Provimin e Jurisprudencës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar dhe Projektligjin për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës për shërbim jashtë vendit”.

Ai gjithashtu nthotë se “u shqyrtua kërkesa për shpërndarjen e dividendës në vlerë prej 30 milionë euro nga ndërmarrjet publike KOSTT, Sh. A. dhe KEK, Sh. A.”.

“Themeluam Grupin Punues Ndër-institucional, që do të punojë në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare të problemit të pagesës së policës kufitare për bashkatdhetarët, përfshirë edhe ndërmarrjen e hapave per anëtarësim në Kartonin e Gjelbër”.

“Rialokuam 49,925 euro për realizimin e projektit kapital për mbështetjen e aktiviteteve socio-ekonomike dhe kulturore të komuniteteve në komunën e Prizrenit”, ka shkruar Kurti.