Me dy aeroplanë dhe dhjetëra vetura përcjellëse, Erdogan arrin në Sarajevë

Shpërndaje

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan mbërriti në Sarajevë i shoqëruar nga gruaja Emine dhe një delegacion më i gjerë, përfshirë dy ministra. Dy aeroplanë u ulën në aeroportin e Sarajevës. Njëri me anëtarët e delegacionit dhe tjetri presidencial.

Erdogan po vjen në Sarajevë si pjesë e një vizite zyrtare ku është planifikuar një takim me anëtarët e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës.

Para se të nisej për në Sarajevë, Erdogan mbajti një konferencë shtypi në aeroportin e Stambollit, ku foli, ndër të tjera, për sulmin terrorist në Kabul, marrëdhëniet me Angela Merkel dhe çështje të tjera botërore.

Vendi i parë që do të vizitojë është varrezat e dëshmorëve Kovaçi, ku u varros presidenti i parë boshnjak, Alija Izetbegoviq, raporton klix.ba.

Kjo do të pasohet nga ceremonia e hapjes së Xhamisë së rinovuar Basçarsija, e financuar nga Turqia, e ndjekur nga një pjesë e një programi privat. Gjegjësisht, është planifikuar që Erdogan dhe gruaja e tij të marrin pjesë në dasmën e vajzës së Bakir Izetbegoviq, Jasmina. Dasma fetare do të zhvillohet në xhaminë Gazi Husrev-beg, dhe ajo civile në Hotel Evropa.

Në mbrëmje, Erdogan do të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, ku është planifikuar një darkë, si dhe një fjalim për mediat.

Erdogan vizitoi shtetin boshnjak për herë të fundit në verën e vitit 2019. Pas vizitës në Bosnje, ai do të udhëtojë për në Mal të Zi.

Ndryshe, Erdogan shpeshherë është kritikuar për jetën luksoze që bënë dhe shpenzimet marramendëse jashtë vendit. /Telegrafi/