Ministrja Nagavci: Jemi duke i marrë të gjitha masat që viti i ri shkollor të nis me prezencë fizike në shkolla

Shpërndaje

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj Arbërie Nagavci, në konferencën e rregullt për media ka prezantuar punën që është bërë në dy javët e fundit, me theks të veçantë përgatitjet rreth vitit të ri shkollor, konkursin vazhdues për regjistrimin e nxënësve në klasë të dhjetë dhe hapjen e konkurseve për pranimin e studentëve të rinjë.

Ministrja Nagavci ka bërë të ditur se MASHTI, në kuadër të angazhimeve për orientimin e të rinjve në karrierë, ka nënshkruar sot Marrëveshjen e Mirëkuptimit me HELVETAS Swiss Intercooperation, e cila ka për qëllim themelimin dhe ngritjen e kapaciteteve të së paku 10 qendrave të karrierës në Institucionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional.

Ministrja po ashtu theksoi se, MASHTI është duke i marrë të gjitha masat që viti i ri shkollor të nis me prezencë fizike në shkolla derisa tha se në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit do të sigurohemi që shkollat ti plotësojnë kushtet, si nga ana infrastrukturore po ashtu edhe edhe sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve.

Ministrja Nagavci edhe një herë iu ka thirrje të gjithë punëtorëve të arsimit të nivelit parauniversitar dhe të arsimit të lartë që të vaksinohen.

Më tutje, ministrja Nagavci bëri të ditur se, Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim ka shqyrtuar dhe ka marrë vendim për të gjitha raportet e ekspertëve ndërkombëtarë, duke i hapur rrugë hapjes së konkurseve për pranimin e studentëve në vitin e ri akademik 2021/2022, në të gjitha institucionet dhe programet e akredituara në Republikën e Kosovës.

Ajo shtoi se institucionet publike të arsimit të lartë kanë i sjellë kërkesat dhe MASHTI i ka miratuar me kushtin që t’i respektojnë kuotat e përcaktuara nga ekspertët ndërkombëtarë të akreditimit, të aprovuara më pas nga KSHC-ja.

Ministrja e Arsimit ka folur edhe për organizimin emësimit plotësues në shkolla, ku sipas të dhënave, mbi 61 përqind të nxënësve në nivel vendi kanë marrë pjesë në mësimin plotësues të organizuar me vendim të Ministrisë, ndërkaq shtoi se shkollat e mesme, përfshirë edhe ato profesionale dhe mjekësore shumë shpejt do të vazhdojnë me hapjen e konkurseve plotësuese.

Duke folur për dokumentet ligjore të cilat janë në dëgjim publik, ministrja Nagavci ka thënë se, të enjten ka përfunduar drafti i parë i Udhëzimit Administrativ për aplikimin e pagesave të studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë, i cili parasheh që të gjithë studentët e universiteteve publike të nivelit baçelor dhe master të lirohen nga tarifat e shkollimit, kur regjistrojnë semestrin për herë të parë.

Gjithashtu tha se ka përfunduar puna në hartimin e Projektligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim i cili shumë shpejtë do të del në konsultim publik.