Parkingu i Tetovës punon me humbje, kërkon kredi (Video)

Shpërndaje

Edhe pse të hyrat për gjashtë muaj i ka 7.467.179,00 denarë, Ndërmarrja Publike “Parkingu i qytetit” në Tetovë, për gjashtë mujorin e parë të vitit 2021 ka dalë më humbje prej 1.362.970 denarë . Madje kjo ndërmarrje gjatë këtij viti ka kërkuar kredi për të paguar harxhimet, por akoma nuk ka marr pëlqimin e bankave.

Përveç të hyrave nga pagesat për parking, kjo ndërmarrje ka të hyra edhe nga shërbimi i merimangës. Vetëm për gjashtë muaj janë kapur 1000 vetura dhe janë bllokuar rreth 3000 të tjera, por përsëri nuk ka mjaftueshëm para për rrogat e 60-të punësuarve edhe harxhimet e ndërmarrjes.

Nga kjo ndërmarrje çështjen e humbjeve e arsyetojnë me kohën e pandemisë, pasi sipas tyre lëvizja e qytetarëve ka qenë e kufizuar.

“Ne si ndërmarrje kërkuam nga këshilli komunal pëlqimin për kërkesë të kredisë me vlere prej 6.000.000,00 denarë, morëm pëlqim nga Këshilli Komunal i Tetovës, po ashtu edhe nga Ministria e Financave, por ende nuk kemi përgjigje nga bankat. Shpresojmë që me zgjerimin e zonave të reja në qytet, ndërmarrja do ketë rezultate pozitive”, thonë nga Ndërmarrja Parkingu Tetovë

Shpesh herë ndodh që qytetarët t’i dëmtojnë bllokatorët e veturave që vendosen te goma, një gjë që paraqet harxhim për ndërmarrjen, andaj po mendohet që edhe për këtë të vendoset një dënim shtesë.

“Shtohen tre kategori të reja që kanë të bëjnë me dëmtimin e bllokatorëve, çelësave e kështu me radhë, domethënë vendoset një çmimore e re për ata, sepse nuk ka pasur aspak. Varësisht nga dëmtimi, por dëmi është 5500 denarë, dëmtimi është 2 mijë denarë edhe dëmtimi edhe mos pagimi është 3000 denarë”, vlerëson Bekim Memeti, kryetar i Këshillit Komunal.

Edhe pse ndërmarrja “Parkimi i qytetit” është duke punuar me humbje para disa muajve hapi konkurs për të punësuar edhe tetë të punësuar të rinj.