Rama thumbon Berishën: Opozita do vijë në Kuvend me një ‘dhëmballë të prishur’! S’ka kurajë ta shkulë dhe as qetësojë

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit që mbajti me deputetë të rinj dhe të vjetër të Partisë Socialiste kërkoi që ky mandat i tretë qeverisës të jetë ndryshe nga dy të parët, sa i përket sjelljes në politikë të çdokujt.

Rama tha se Konflikti nuk duhet të jetë më kryefjalë e skenës politike, ndërsa nuk la pa thumbuar edhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

Teksa e cilësoi Berishën “dhëmballë të prishur”, Rama deklaroi se asesi deputetë e ministra nuk duhet të merren me sulme ndaj tij.

Rama: Me aq pak sa kemi mundur të shohim përmes natës opozitare të 25 prillit deri sot, i njëjti avaz duket se do të vazhdojë drejt humbjes së 6 dhe të 7 të radhës. Prodhimi i baltës nuk do të ndalet, mund edhe të rritet madje.

Kjo tregon se balta do të vazhdojë. Ne duhet të jemi të vëmendshëm ndaj çdo akuze publike, jo për të reaguar me të njëjtën monedhë, as për të rënë pre e vorbullës që i ka neveritur shqiptarët me politikën e ditës, por për të verifikuar çdo gjë që thonë për të ndarë katranit me bojë me ato akuza që kanë një bazë sado të vogël faktike. Në këtë pikë nuk do të ketë kompromis.

Mandati i tretë nuk duhet tu ngjajë dy të parëve. Opozita të bëjë çfarë të dojë, por ne do bëjmë atë që duhet. Dora jonë do jetë e shtrirë pa kushte pavarësisht nga sjellja dhe retorika e rivalëve tanë. Konflikti nuk duhet të jetë më kryefjalë e jetës politike.

Kush do ta kalojë cakun etik në prononcimet publike në adresë të rivalëve tanë, kush do merret me politikë për konflikt në teatrin e ditës dhe nuk do të merret me tema që do t’i interesojnë njerëzve do të jetë një shqetësim jo për opozitën, por për gruipin dhe mua.

Opozita do vijë në Parlament me një dhëmballë të prishur që nuk ka kruajë ta shkulë dhe as kurajë ta qetësojë. Nuk është arsye për tu marrë me dhëmballën e saj dhe as për t’iu përkushtuar infektimit të PD nga ajo dhëmballë.

Sa kohë dhëmballa do të jetë aty fytyra e PD do të jetë e pavotueshme. Ne nuk duhet ta kemi luftën me PD. Në fund të këtij mandati ne nuk do të vlerësohemi për çfarë i thamë dhe bëmë PD-së por do të gjykohemi për sa më lart do ta ngjisim Shqipërinë këto 4 vite dhe sa do t’i jemi afruar marrjes ku ky vend meriton të jetë në fund të kësaj dekade./TCH