Taravari shpall kandidaturën: “Gostivari, FITORE nga rrethi i parë”

Shpërndaje

Kryetari aktual i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, do të garojë për mandatin e dytë në këtë komunë në zgjedhjet lokale të tetorit. Ai këtë e bëri të ditur përmes një postimi ne Facebook.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë postimin e Taravarit.

Shpallja e Kandidaturës

Përshëndetje të gjithëve,

Sot dua të ndaj me ju një vendim të rëndësishëm.

Ekipi dhe unë kemi vendosur që të shpall zyrtarisht kandidaturën për kryetar të Komunës së Gostivarit.

Ne jemi në mbyllje të mandatit të parë. Thonë që ndonjëherë nuk e kupton vlerën e momentit derisa ai çast të kthehet në kujtim. Kështu momentet, orët e ditët plot punë, edhe pak dhe do të lexohen si 4 vjet në kalendar. Arritëm që në këto 4 vite të rendisim emrin e qytetit tonë, të parin në listën e qyteteve shqiptare në Maqedoni dhe ndër të parët në nivel republikan.

Formula e suksesit nuk ka qenë magjike. Ajo ka qenë e thjeshtë: Punë e Përkushtim.

Tani që ky mandat po përfundon mund të them pa asnjë dyshim se pavarësisht lodhjes, vështirësive dhe problemeve ka qenë Privilegj e Krenari që të isha një ndër ata që punoi për njerëzit e këtij qyteti. Gostivarasit kanë qenë dhe janë motivi im i përjetshëm që nuk do të mbarojë kurrë!

Arsyeja kryesore që më çoi në shpalljen e kandidaturës janë ata, gostivarasit e ndershëm e të qetë, të munduar dhe të duruar, të heshtur e punëtorë, trima e të mençur. Është qyteti që më ka futur në zemër i ndjeri baba im që fiks para 3 muajsh është larguar nga jeta. Janë duart me kallo të gostivarasit punëtor që edhe pse me 1000 halle ka sakrifikuar veten për t’i shkolluar fëmijët e vet. Janë sytë e nënave gostivarase që kanë ditur të qeshin edhe në pikë të varfërisë dhe ta kenë derën hapur për miqtë!

Janë shtëpitë gostivarase që brenda mbajnë histori plot me halle, varfëri e padrejtësi, por vazhdojnë të mbijetojnë sepse kanë një gjë që askush nuk e mund dot, fisnikërinë gostivarase.
Janë të shtrenjtët motra e vëllezër që sa herë largohen për në mërgim bëjnë një funeral të vendlindjes dhe dashuria për Gostivarin sa më larg shkojnë aq më shumë ju rritet!

Presidenti amerikan Teodor Ruzvelt ka thënë:

Besoni se mundeni dhe kështu do të keni bërë gjysmën e rrugës!

Unë kam besim absolut që bashkë me ju, shqiptarë e maqedonas, turq, egjiptianë, romë apo torbesh, të ASH-së apo të VMRO-së, të Besës, Alternativës, BDI-së, LSDM-së apo Levicës, muslimanë apo krishterë por TË GJITHË GOSTIVARAS, mund të ndërtojmë qytetin tonë e të bëjmë ashtu si e meriton çdonjeri nga ne!

Ndaj dhe zyrtarisht dhe krenarisht ju ftoj të gjithëve të mblidhemi rreth slloganit VOTO GOSTIVARIN!

Kjo thirrje shkon tek çdo gostivaras që e ka qytetin në zemër! Le t’i tregojmë gjithë Maqedonisë se ne jemi shembulli i dedikimit ndaj një qyteti, se mbi të gjitha ne VOTOJMË GOSTIVARIN!
Me bekimin e Zotit unë jam në front me ata qindra e mijëra burra e gra që e duan këtë qytet e duan ta shohin mirë!

Na priftë e mbara!

Sinqerisht i Juaji

Arben Taravari