ASH: Letër të hapur për kryeministrin Zoran Zaev

Shpërndaje

Forumi Rinor i Aleancës për Shqiptarët i është drejtuar me një letër kryeministrit Zoran Zaev, të cilit i ka bërë thirrje që Qeveria t’i ndalojë sulmet ndaj komunës së Gostivarit dhe t’i mbyllë kazinot e t’i hap shkollat në këtë komunë.

Letrën e plotë mund ta lexoni më poshtë!

z.Kryeministër!

Ne jemi FRASH, ose ndryshe Forumi Rinor i Aleancës, ose edhe më qartë të rinjtë e qytetit të Gostivarit, pjesë e ekipit Taravari, dhe po të drejtohemi publikisht me këtë letër të hapur!

E dimë që duhet të jesh shumë i zënë me hallet e njerëzëve se atë punë ke, por dhe ky i yni hall është ndaj ju lutem të na merrni në konsideratë!

Disa të rinj të qytetit tonë me të drejtë bënë një aktivitet apelues për ndalimin e kazinove në qytet, por si shumë herë që ndodh në këtë shtet, ishin të keqinformuar dhe kishin ardhur në adresën e gabuar. Kishin sjellë ca zarë që simbolizojnë lojrat e fatit që ju duhet ta dini sa të rrezikshme janë, sidomos në një vend të varfēr si i yni. I sollëm këtu para jush që kur të bëni mbledhjen e radhës, t’i dërgoni në adresën e duhur që është ministria e Financave që ashtu si i ka lejuar, ashtu t’i largojë kazinotë nga qyteti ynë!

Kemi kthyer edhe ca libra e fletore të disa bashkëmoshatarëve tanë në Gostivar dhe ju lutem t’i jepni ministrisë së Arsimit, jo se nuk i duam më, por si mund t’i mbajmë librat kur na kanë mbyllur shkollën?! A është e mundur që në vitin 2021 të mbyllet një shkollë?! Janë paralelet e shkollës turke dhe shqipe që janë mbyllur. Por tek ne z.kryeministër nuk ka dallim kjo punë, zëre se ke mbyllur çdo shkollë tonën, sepse turq, shqiptar apo maqedonas, ne jemi të gjithë Gostivaras!

Riktheni të drejtën për shkollim në Gostivar z.kryeministër, mos lejoni këtë krim, se aty ku mbyllni një derë shkolle, sapo keni hapur një derë burgu!

Ju lutemi bisedoni me ministrat tuaj duke menduar si baba, si njeri e si Kryeministër e ndoshta gjeni mënyrën që të bëni ministritë tuaja të ndalojnë këtë sulm të padrejtë ndaj qytetit të Gostivarit! Ju lutemi mbyllni kazinotë që keni hapur prej vitesh në Gostivar, e në vend të tyre rihapni shkollat që keni mbyllur.

I nderuar z.Kryeministër! Ta dini se asgjë nuk do të na ndalojë në RRUGËN TONË për të mbrojtur JETËN TONË në QYTETIN TONË!
Sinqerisht të vendosur!

Krenarisht dhe përjetësisht Gostivaras!

Të fala nga Pollogu!