Betohet qeveria e re e Shqipërisë, fillon zyrtarisht detyrën

Shpërndaje

Me një ceremoni në Presidencën e Shqipërisë është betuar qeveria e re e Shqipërisë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, duke filluar zyrtarisht detyrën, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas ceremonisë në Presidencë, anëtarët e qeverisë iu drejtuan selisë së Këshillit të Ministrave për të mbajtur mbledhjen e parë.

Kuvendi i Shqipërisë votoi qeverinë e re më 17 shtator, ku Rama u emërua kryeministër dhe në postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave emërohet Arben Ahmetaj.

Olta Xhaçka është emëruar në postin e ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Niko Peleshi në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Bledar Çuçi në drejtimin e Ministrisë së Brendshme.

Në postin e ministres së Financave dhe Ekonomisë është emëruar Delina Ibrahimaj, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ministre e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, ministër i Drejtësisë Ulsi Manja, ministre e Kulturës Elva Margariti, ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca dhe ministre e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro Furxhi.

Në përbërjen e qeverisë së re do të ketë edhe katër ministre shteti, ku Elisa Spiropali është emëruar ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Edona Bilali si ministre e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Bora Muzhaqi ministre e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe Milva Ekonomi ministre e Shtetit për Standardet e Shërbimeve.

Kujtojmë se Legjislatura e re e Kuvendit të Shqipërisë e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti, filloi punimet më 10 shtator me seancën e konstituimit dhe me zgjedhjen e kryetares së re të Kuvendit, Lindita Nikolla.

Fituese e zgjedhjeve të 25 prillit rezultoi Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Rama, e cila ka siguruar mandatin e tretë qeverisës, duke fituar 74 mandate nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.

Lajmi: Anëtarët e Këshillit të Ministrave betohen para Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta