Konjufca: S’ka arkiv të UÇK-së, por të Kosovës që është më i hapuri në botë

Shpërndaje

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se është keqkuptuar dhe devijuar qëllimisht deklarata e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi mbi hapjen e arkivit të Kosovës për pjesën e luftës së UÇK-së.

Konjufca tha se arkivi i Kosovës është më i hapuri në botë, të cilin mund ta sheh secili, prandaj hapja e arkivave të fshehtë të Serbisë është në interes të Kosovës dhe një kërkesë e kahershme e saj, njofton Klan Kosova.

“Nuk ka arkiva të UÇK-së. Është arkivi shtetëror i Republikës së Kosovës. Ky arkiv është ndërtuar për për vite të tëra për 20 vjet. Kanë qenë këtu edhe UNMIK, EULEX, Bashkimi Europian dhe SHBA dhe arkiv më i hapur se i Kosovës s’besoj që ekziston në botë. Nëse shkon sot në arkivin e Kosovës në krejt dokumentet ke qasje”.

Ai ka thënë se në arkiv ka incizime që janë bërë nga gazetarët për luftën dhe ushtarët e UÇK-së e që edhe janë publikuar në media, prandaj, sipas tij, Kosova s’ka çka të fshehë.

“Në arkivat shtetërore të 20 vjetëve janë edhe vitet 98/99 me luftën e lavdishme të UÇK-së. Aty ka incizime. Arkivi shtetëror i Kosovës është i hapur për të gjithë në botë, nuk kemi çka fshehim. A ka diçka që s’është mediatike?”.

Konjufca në Rubikon ka thënë se arkivat e fshehura të masakrave në Kosovë i ka ushtria serbe.

“Shteti serb kur e ka kryer gjenocidin në Kosovë. Një oficer ushtarak që e ka udhëhequr një ekspeditë në një rajon të Kosovës, për shembull të Mejës dhe nuk mundet që në një shtet siç ka qenë Serbia që një gjeneral të japë urdhrin njësive ushtarake për të masakruar dhe për t’i transportuar trupat me kamionë për t’i varrosur në një varr masiv e mos me qenë një procesverbal”.

“E kemi një arkiv dhe krejt bashkësia ndërkombëtare ka qasje në atë arkiv”.

Konjufca tha se beson që pozicionimi i Brukselit ka qenë se në këtë çështje duhet pasë reciprocitet dhe thotë se reciprociteti është në interes të Kosovës vetëm në një dimension, në atë të të qenit i hapur.

“Shteti ynë nuk është gjenocidal. Ne i hapim [arkivat]. Ne kemi luftuar për liri dhe pavarësi”./klankosova