Rama pret ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite: Loboni që Kosova të njihet si shtet i pavarur

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama priti në Tiranë ministrin e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, princin Faisal Al Saud. Me theksin se Arabia Saudite është një nga vendet që e njeh Kosovën si shtet të pavarur, Edi Rama bëri apel për ndihmë që influencën e vet në rajon ta përdorë për të lobuar te shtetet e tjera islamike, që nuk e kanë bërë ende këtë hap.

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

“Arabia Saudite e ka njohur Kosovën dhe ka qenë një mbështetëse e fuqishme për këtë çështje. Është një zë me shumë peshë, dhe ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e mëtejshëm.”

Ndërkohë Princi i Arabisë nga ana tjetër tha se pret që të ketë një rritje të mëtejshme të bashkëpunimit edhe në fushën e biznesit mes dy vendeve.

“Mbretëria jonë e vlerëson shumë miqësinë me Shqipërinë, një miqësi e cila ka ecur për vite me radhë por që është fuqizuar në fakt nga vizita e kryeministrit të Shqipërisë, pavarësisht se ne humbëm disa momente për arsye të pandemisë Covid19, jemi shumë të kënaqur që ta vazhdojmë këtë bashkëpunim dhe të eksplorojmë mundësitë për të ardhmen në fusha të ndryshme bashkëpunimi. Ka shumë gjëra që mund të bëjë Arabia Saudite në Shqipëri. Një çështje e rëndësishme është edhe rritja e kontakteve të bizneseve. Ne duam shumë që bizneset mes dy vendeve tona të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.”

Princi Faisal Al-Saud siguroi se Arabia Saudite do të japë mbështetjen e plotë për axhendën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë në OKB.