Rijaseti i BFI konvokoi mbledhjen e jashtëzakonshme me rastin e tragjedisë në Tetovë, ja çka u vendos

Shpërndaje

Rijaseti i BFI konvokoi mbledhjen e jashtëzakonshme me rastin e tragjedisë në Tetovë

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, të enjten më 09.09.2021, konvokoi mbledhje të jashtëzakonshme të Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame në Tetovë, me rastit e zjarrit tragjik që kaploi Spitalin Modular të Qendrës për Kovid 19 në Tetovë.

Të gjithë anëtarët e Rijasetit u mblodhën në Myftininë e Tetovës për të diskutuar për masat që do të merren në lidhje me këtë tragjedi e cila kaploi pacientët me kovid 19 që kuroheshin në spitalin modular në qytetin e Tetovës.

Fillimisht, Kryetari i BFI Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai dhe të gjithë anëtarët e Rijasetit të BFI bënë lutje për të gjithë qytetarët që humbën jetën në këtë tragjedi dhe publikisht dërguan ngushëllime të sinqerta deri tek familjarët e viktimave, duke e lutur Allahun Fuqiplotë që ti mëshirojë të vdekurit, ndërsa familjeve të tyre tua shtojë durimin.
Në këto momente të vështira nëpër të cilat po kalon qyteti i Tetovës, ku numri i viktimave është i madh, Rijaseti i BFI vendosi që Bashkësia Fetare Islame me të gjitha kapacitetet e saj të jetë në shërbim të familjeve të viktimave dhe besimtarëve të prekur nga kjo tragjedi.

Pas mbledhjes të jashtëzakonshme të Rijasetit, Bashkësia Fetare Islame doli me një komunikatë për opinion në të cilën thuhet:

“Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame, në përbërje të plotë, sot në Tetovë mbajti mbledhjen e jashtëzakonshme, në të cilën iu përkushtua rastit tragjik që ndodhi mbrëmë me djegien e spitalit modular në Tetovë, ku për pasojë pati viktima dhe të lënduar. Me këtë rast Rijaseti i BFI u shpreh ngushëllime familjarëve të viktimave, me lutje drejtuar Allahut xh.sh. që të vdekurve t’ua falë Xhennetin e familjarëve tu jep sabër, kurse të lindurit t’i shërojë sa më shpejtë.

Duke e ndarë dhimbjen e madhe me të gjitha familjet e viktimave si dhe me gjithë banorët e Tetovës, Rijaseti i BFI në shenjë solidariteti me familjarët e viktimave, nga buxheti i vet ndau një shumë prej 300 mijë denarëve, shtuar kësaj shume edhe ndihmën vullnetare personale të çdo anëtari të Rijasetit të BFI. Ndërkaq harxhimet e varrimit do t’i mbulojë Myftinia e BFI Tetovë.
Po ashtu, Rijaseti i BFI, kërkon nga nënpunësit fetarë që nesër, më 10 shtator të këtij viti, në namazin e xhumasë, së bashku me xhematet e tyre, në të gjitha xhamitë e vendit, të bëjnë lutje për viktimat e rastit në fjalë.”