Ursula von der Leyen: BE dhuron 200 milionë doza të tjera vaksine për vendet e varfëra

Shpërndaje

Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Evropian, e përshëndeti si sukses menaxhimin e pandemisë së koronas në BE.

Shtetet anëtare kishin vendosur të ndiqnin një rrugë të përbashkët në krizën më të madhe globale të shëndetit në dekada, tha von der Leyen në fjalimin e saj për gjendjen në Bashkimin Evropian.

Politikania e CDU theksoi në Parlamentin Evropian në Strasburg se të gjithë në BE tani kanë qasje në vaksinat kundër koronavirusit.

Në të njëjtën kohë ajo bëri thirrje për përpjekje të mëtejshme. Von der Leyen tha se nuk duhet kaluar në vetëkënaqësi përballë suksesit. Me më shumë se 70 përqind të popullsisë së rritur të vaksinuar plotësisht, BE është në këtë drejtim ndër liderët botërorë, pavarësisht nga të gjitha kritikat, tha von der Leyen.

Por ajo paralajmëroi se fushata e vaksinimit në Evropë duhet të vazhdojë me vrull. Përndryshe, tha ajo, kërcënon një “pandemi e të pavaksinuarve”. “Kohët e koronas nuk kanë mbaruar,” tha von der Leyen. “Një pandemi është një maratonë, jo një sprint.”

“Investim në shëndetin global”

Në lidhje me kuotat e vaksinimit, Presidentja e Komisionit të BE iu referua padrejtësisë globale. Prioriteti, tha ajo, duhet të jetë përshpejtimi i vaksinimit në të gjithë botën. Shkalla e padrejtësisë është e qartë. Politikania gjermane njoftoi se BE do të dhurojë edhe 200 milionë doza të tjera vaksine deri në mesin e vitit 2022. Kjo do të dyfishojë premtimet e BE për donacion në një shumë të përgjithshme prej 450 milionë doza vaksinash. Von der Leyen foli për një “investim në solidaritet dhe një investim në shëndetin global”.

Ajo e quajti luftën kundër pandemisë Corona “një nga çështjet më të mëdha gjeopolitike të kohës sonë”. Von der Leyen theksoi se deri tani “në të gjithë botën janë injektuar më pak se një përqind e vaksinave në vendet me të ardhura të ulëta”. Presidentja e Komisionit vuri në dukje gjithashtu se BE po investon një miliardë euro për të nxitur prodhimin e vaksinave në Afrikë.

Për të siguruar që një virus të mos bëhet pandemi në të ardhmen, von der Leyen propozoi investimin e 50 miliardë eurove në kujdesin shëndetësor në të gjithë BE, gjatë gjashtë viteve të ardhshme.

Vlerësim i lartë për të rinjtë evropianë

Veç kësaj, von der Leyen njoftoi se viti 2022 do të shpallet “Viti i Rinisë Evropiane”. Kjo bëhet për të treguar vlerësimin për të rinjtë që kishin sakrifikuar shumë për të mbrojtur të tjerët gjatë pandemisë së koronas. Të rinjtë gjithashtu duhet të luajnë një rol vendimtar në Konferencën për të Ardhmen e Evropës, e cila filloi punën në qershor. Në konferencë, politikanët dhe qytetarët do të përpunojnë propozime konkrete deri në pranverën e vitit 2022. Von der Leyen siguroi se Komisioni i BE do t’i merrte seriozisht këto propozime.

Për të rinjtë që nuk kanë gjetur as trajnim as punë, Komisioni i BE -së dëshiron të nisë një program të ri shkëmbimi të quajtur “Alma”. “Alma do t’u japë këtyre të rinjve mundësinë për të fituar përvojë pune të përkohshme në një shtet tjetër anëtar,” tha von der Leyen. Ajo tha se këta të rinj meritojnë përvojën që studentët patën mundësinë ta kenë me programin e shkëmbimit Erasmus.

Von der Leyen gjithashtu premtoi një shtesë prej 100 milionë eurosh ndihmë humanitare për Afganistanin. Me këtë, tha ajo, BE dëshiron të parandalojë një “katastrofë humanitare” në vend. Sipas saj, fondet shtesë janë pjesë e një pakete gjithëpërfshirëse të ndihmës së BE që do të paraqitet në javët e ardhshme. Më parë, BE kishte premtuar 200 milionë euro ndihmë për Afganistanin për vitin aktual.

Zgjerim i kapaciteteve në prodhimin e mikroçipave

Në politikën ekonomike, von der Leyen njoftoi një zgjerim të kapaciteteve në prodhimin e mikroçipave dhe gjysmëpërçuesve në mënyrë që të rritet pavarësia nga importet. Përveç kësaj, sipas vullnetit të Presidentes së Komisionit, duhet të ketë një ndalim në mbarë BE për produktet e prodhuara nga puna e detyruar.

Përsa i përket politikës së jashtme, von der Leyen theksoi se ajo donte të forconte Evropën ushtarakisht në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n. Për këtë qëllim, Komisioni Evropian po përgatit një deklaratë të përbashkët me aleancën transatlantike. Presidentja e Komisionit Evropian përmendi shtimin e përpjekjeve për mbrojtjen e natyrës dhe klimës, si përparësi të mëtejshme për politikën e ardhshme./ DW