Zgjedhjet, skadon afati për dorëzimin e listave të kandidatëve

Shpërndaje

Sonte në mesnatë përfundon afati i paraqitjes së kandidaturave për kryetar të komunave dhe listave për këshilltarë deri tek Komisioni Shtetëror i zgjedhjeve.

Edhe pse ende nuk ka filluar fushata zyrtare, partitë politike tashmë i kanë kumtuar kandidaturat për të gjitha komunat. Në shumicën prej komunave pritet të ketë garë të ashpër mes pushtetit dhe opozitës. Për qytetin e Shkupit, janë zyrtarizuar së paku, gjashtë kandidatë dhe atë kryetari aktual i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, i cili rikandidohet nga LSDM, Danella Arsovska e mbështetur nga VMRO-DPMNE dhe ASH-AAA, Ana Petroska nga koalicioni i aktivistëve “Qyteti human i gjelbër”. Artisti Petar Georgievski Kamikaza, kandidon si i pavarur por mbështetet nga partia “E Majta”, Advokati Aleksandar Tortevski kandidat i partisë “E jotja” dhe ish deputeti i PRSD-së Lubomir Josifovski i cili garon si i pavarur.

Ndërsa për Tetovën, do të garojnë Teuta Arifi nga BDI, Vullnet Murseli nga Aleanca për Shqiptarët, Bilall Kasami si kandidat i Lëvizjes BESA, si dhe Hamdia Elezoviç LSDM. Në Gostivar janë zyrtarizuar kandidaturat e Arben Taravarit nga ASH, e Nevzat Bejtës si kandidat i BDI-së dhe e Fadil Zendelit si kandidat i Lëvizjes BESA. E ashpër pritet të jetë gara edhe në Kumanovë, LSDM do të garojë me Oliver Dimitrievskin, ndërsa VMRO-DPMNE me Toni Mihajllovskin. Ndërsa kryetari aktual Maksim Dimitrievski nuk do të ketë mbështetjen e LSDM-së si katër vite më parë dhe kandidohet si i pavarur. Ai madje akuzoi sot LSDM-në se po kërcënon mbështetësit e tij dhe të punësuarit në administratë.

“Unë jam këtu bashkë me këto njerëz pas meje me ju dhe për ju në këtë luftë dhe nuk do të lejoj që kërcënimet të jenë pjesë e përditshmërisë sonë. Kumanova është qyteti i gabuar për tu bërë presione, Kumanova është qyteti i gabuar që të kërcënohen”, tha Maksim Dimitrievski, Kandisat për Kumanovën.

Interesante do të jetë edhe gara në Kërçovë ku është zyrtarizuar kandidatura e kryetarit aktual Fatmir Dehari i cili mbështetet nga BDI, si kandidati i pavarur do të dalë Fatmir Limani, ndërsa nga partitë maqedonase do të garojë vetëm VMRO-DPNE me Aleksandar Jovanovskin. Nga Opozita Shqiptare, Alternativa deklaroi se kandidati i tyre Mazllam Osmani do të tërhiqet, me qëllim të mos përçarjes së votës shqiptare.

“Megjithatë, sot kur dorëzohen kandidaturat, jemi këtu për të thënë se ne nuk mund të bëjmë asnjë veprim që mund të jetë në dëm të shqiptarëve. Ne gjykojmë se Kërçova është peshorja e ndërgjegjes sonë kombëtare. Ndonëse përçarja e votës ka filluar qëkur BDI-ja insiston me ngulm që të nxjerrë kandidat puropartiak dhe atë ta shesë në emër të kombit, ne nuk duam të jemi aktorë në temën e përçarjes së votës shqiptare”, u shpreh Nurxhan Asanovska, zëdhënëse e Alternativës.

Ndërsa në Strugë, do të garojë Ramiz Merko nga BDI, Idri Istrefi nga ASH-ja. LSDM do të garojë me Dimçe Shipinkarovski. VMRO-DPMNE nuk do të ketë kandidat për Strugën.

Pas të dorëzohen kandidaturat, Kandidatët për kryetar të komunave dhe listat për këshilltarë të një partie ose koalicioni, fitojnë numër të njëjtë rendor në të gjitha komunat. Më pas listat do të publikohen në ueb faqen e KSHZ-së dhe do të shpallen nga ana e Bordeve zgjedhore. Fushata për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, do të fillojë më 27 shtator, ndërsa do të përfundojë më 15 tetor./alsat/