Shala i bën ‘selam’ Bekteshit, hiq taksën…! (Dokument)

Shpërndaje

Ministri i Ekonomisë i Kosovës, Endrit Shala, ka kërcënuar Shkupin zyrtar për barriera ekonomike ndaj mallrave kosovare, ndërsa ka paralajmëruar masa reciprociteti nëse Maqedonia e Veriut vazhdon të “keqtrajtojë” biznesin e Kosovës.

Në një letër drejtuar ministrit të Ekonomisë në RMV, Kreshnik Bekteshi, ministri Shala kërkon që sa më shpejt Maqedonia të largojë barrierat, të cilat i ka vendosur së fundmi ndaj produkteve kosovare. “Sot i kam dërguar letër ministrit të Ekonomisë të Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi dhe i kam kërkuar që sa më shpejt të largohen barrierat të cilat i ka vendosur ky shtet ndaj produkteve kosovare. Ndryshe ne do të shqyrtojmë masa reciprociteti për të gjitha prodhimet e Maqedonisë së Veriut që eksportohen në Kosovë”, shkruan në profilin e tij në Facebook, minstri Shala.

Ndryshe, ka disa ditë që Maqedonia ndalon hyrjen e peshkut nga Kosova, ndërsa Kosova akuzon se kjo është në kundërshtim me Marrëveshjen për Tregti të Lirë midis dy vendeve, si dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e CEFTA-s. Kamionëve kosovarë që importojnë peshk në Maqedoni, me një vendim të Ministrisë së Ekonomisë, i është vënë një taksë plus 700 euro, gjë që nuk ka qenë më parë.