Bill dhe Hillary Clinton vijnë në Prishtinë për të shënuar 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës

Shpërndaje

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton, të martën dhe mërkurën pritet të qëndrojë në Prishtinë, për shënimin e 20 vjetorit të intervenimit të NATO-s në Kosovë. Bashkë me të është paraprë të jetë edhe gruaja e tij Hillary – por një tragjedi në familjen e saj e ka bërë të paqartë vizitën e saj në Kosovë, ndonëse ardhja vazhdon të jetë e konfirmuar. Reporteri.net sjell detaje.

Gazeta Online “Reporteri.net” merr vesh se Bill dhe Hillary Clinton parashihet të mbërrijnë në Prishtinë të martën në mbrëmje.

Ish presidenti që ishte në krye të ShBA-së para dy dekadash kur Amerika sponsorizoi fushatën e NATO-s për çlirimin e Kosovës, të nesërmen – të mërkurën, do të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 20 vjetorit të kësaj dite historike për kosovarët.

Të konfirmuar ardhjen në Prishtinë e ka edhe bashkëshortja e tij Hillary Clinton. Por vdekja e të vëllait të saj, një ditë më parë, e ka bërë të paqartë ardhjen e saj në Kosovë pas dy ditësh.

Megjithatë, Reporteri.net merr vesh se ardhja e saj, sikurse edhe e ish-presidentit vazhdon të jetë e konfirmuar zyrtarisht në agjendën e ceremonisë shtetërore që mbahet më 12 qershor.

Agjenda në fjalë, parasheh që çifti Cliton pas ceremonisë qendrore të 20 vjetorit të intervenimit të NATO-s, të vizitojnë edhe bulevardin ‘Bill Clinton’ në lagjen Dardania në Prishtinë, ku ndodhet shtatorja e ish-presidentit të SHBA-ve që konsiderohet si miku më i madh i vendit dhe çlirimit të Kosovës.

Për këtë në ditët e fundit është punuar rreth zonës ku gjendet kjo shtatore dhe restauruar një pjesë e bulevardit ‘Bill Clinton’.

Pikërisht në shënimin e kësaj dite në Kosovë do të vijë edhe ish- Sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright.

“Madeleine Albright do t’i bashkëngjitet popullit të Kosovës në shënimin e 20 viteve të lirisë, dhe do të mbajë fjalim në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë“, thuhet në njoftimin e këshillit organizativ.

Sipas këshillit, tubimi qendror do të mbahet në sheshin “Skëndërbeu”, duke filluar nga ora 11:00.

Gazeta Online “Reporteri.net” ka provuar të dielën të marrë konfirmim për ardhjen e çiftit Clinton në Kosovë nga organizatorët e cermonisë, por ka qenë e pamundur.

Kujtojmë se Hillary Clinton për herë të fundit vizitoi Kosovën me 13 tetor të vitit 2010, kurse Bill Clinton më 1 nëntor të 2009 për të përuruar shtatoren e tij.