Politika shkurtpamëse dhe diplomacia e fjetur janë jodiplomaci dhe hiçpolitikë

Shpërndaje

NGA TAKIMET MES DREJTUESVE TË PARTIVE POLITIKE ME AMBASADORË DHE DIPLOMATË TË JASHTËM, SA PËR T’U FOTOGRAFUAR, SHQIPTARËT NUK KANË ASNJË DOBI

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Lajmet që dëgjojmë dhe lexojmë përditë, të tipit “u takua lideri i një partie me ambasadorin e ndonjë shteti, apo me ndonjë diplomat të lartë evropian ose amerikan”, për shqiptarët në Maqedoni nuk përbëjnë ndonjë lajm të rëndësishëm.

Këto lajme me të cilat bombardohen përditë qytetarët përmes mediave, sidomos shqiptarët, janë punë e rregullt dhe çështje protokolli e përfaqësive diplomatike në vendin tonë dhe ardhje-vajtje të zakonshme të diplomatëve të jashtëm për t’i çuar përpara proceset politike në vende dhe rajone të caktuara të botës.

Është tepër normale dhe e zakonshme që këta përfaqësues të takohen me të gjithë faktorët politik të një vendi, por kjo nuk domethënë se ata nuk dinë se çfarë ngjan në vendin tonë, kush dhe sa mund të kontribuojë në zgjidhjen e çështjeve të caktuara dhe në kohën e caktuar.

Tri dekada me radhë janë takuar pandalur liderët e partive të shqiptarëve në Maqedoni, me ambasadorë dhe diplomatë të jashtëm, por gati asgjë nuk kanë fituar shqiptarët nga këto takime, përveç lodhjes nga lajmet e kësaj natyre dhe fotografitë e ambasadorëve dhe diplomatëve të jashtëm me liderët e këtyre partive politike të shqiptarëve.

Supsesi në politikë dhe diplomaci nuk matet me numrin e takimeve, me peshën dhe formatin e ambasodorëve dhe të diplomatëve që vinë e shkojnë në një vend, me numrin e komunikatave të partive dhe lajmet e publikura për marketing politik, as me pamjen e fotografive të politikanëve vendës me ambasadorë dhe diplomatë të jashtëm, por me peshën e kërkesave, zgjidhjen e problemeve dhe arritjen e rezultateve konkrete nga këto takime.

Ambasadorët dhe diplomatët e shteteve mike që vijnë në vendin tonë dhe që takohen kaq shpesh edhe me politikanë vendës, edhe me udhëheqësit e partive politike të shqiptare, janë shumë të informuar për gjendjen në vend edhe për çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Maqedoni, por ata ndërmarrin masa përkatëse dhe të duhura për zgjidhjen e një çështje vetëm atëherë kur konstatojnë se politikanët vendës, drejtuesit e partive politike, përfaqësuesit e një populli apo të një shteti, janë në nivelin e duhur, të pjekur dhe të aftë për t’i çuar proceset përpara, për t’i mbrojtuar ato të arritura për të cilat angazhohen ambasodorët, diplomatët e jashtëm, institucionet ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e tyre.

Deri më sot, nga qindra takime mes liderëve të partive politike të shqiptarëve, nga gjithsej sa kanë pasur parti shqiptarët në këtë shtet, shumë pak kanë arritur shqiptarët ta avancojnë statusin e tyre dhe ta ndryshojnë gjendjen.

Me fajin dhe paftësinë e politikanëve të sotëm shqiptarë, nesër mund të ankohen me të drejtë gjeneratat e ardhshme se faktori ndërkombëtar nuk ka bërë sa duhet për të drejtat e popullit shqiptar në këtë shtet, ndërsa ne sot kënaqemi vetëm duke lexuar lajme dhe duke shikur fotografitë e politikanëve vendës me ambasadorë dhe diplomatë të jashtëm.

Nuk duhet të harrojmë se, shumë politikanë shqiptarë, përfaqësues të partive politike dhe drejtues të institucioneve të shtetit, kanë shkuar edhe në OKB, KE, OSBE, në selinë e NATO-s dhe Departamentin e Shtetit të SHBA-ve, në selitë e organizatave të ndryshme ndërkombëtare me ndikim, por nëse atje kanë thënë se shqiptarët janë “Ok” në Maqedoni, më mirë do të kishte qenë fare të mos kishin shkuar atje, sepse me këtë e kanë dëmtuar çështjen e pazgjidhur shqiptare në këtë shtet. Kështu edhe me takimet mes politikanëve aktualë me ambasadorë dhe diplomatë të jashtëm, nëse nuk diskutohet diçka serioze, nuk rezulton diçka konkrete dhe me rëndësi, sa për të bërë fotografi më mirë do të kishte qenë vetëm të takohen sepse janë të detyruar, por fare të mos i publikojnë këto lajme dhe sidomos fotografitë nga këto takime, të cilat në të ardhmen mund të shërbejnë vetëm për organizimin e ndonjë ekspozite të zakonshme me fotografi, ASGJË MË TEPËR.