Kurti jep detaje rreth takimit qeveritar në Prevallë, këto janë pikat e programit

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është lajmëruar nga mbledhja e Prevallës, duke shpalosur kështu planin qeverisës 2020-2023.

Përmes një postimi të tij, Kurti ka treguar draft programin qeverisës të koalicionit VV-LDK. Plan ky i cili ka përmban 41 pika të cilat priten të përmbushen gjatë mandatit të qeverisë aktuale.

“Tashmë kemi edhe një draft të programit qeverisës i cili ka 41 faqe e që derivon nga marrëveshja jonë e koalicionit”

“Temat kryesore janë: Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, Zhvillimi ekonomik, Arsimi dhe shkenca, Shëndetësia, Politikat sociale, Infrastruktura, Mjedisi, energjia dhe minierat, Kultura, rinia dhe sporti, Mbrojtja dhe siguria, si dhe Politika e jashtme, integrimi dhe mërgata”.

“Këto janë temat e çështjet në të cilat këtë vit qeveria duhet të punojë që të japë rezultatet e para”, ka shkruar Kurti.

Pika kryesore të planit qeverisës të Qeverisë Kurti:

• Në prokurim publik do të ndërmarrim reforma të cilat arrijnë vlerën për para duke synuar kriterin: ekonomikisht më të favorshëm. Do të rrisim transparencën duke hapur përfituesit përfundimtar dhe duke hapur thesarin si dhe do të ngrisim kapacitetet për të monitoruar çdo parregullësi në proces për të parandaluar favorizimet e kurdisjet e tenderëve e sidomos menaxhimin e kontratave.

• Në administratë publike do të vazhdojmë reformat që profesionalizmin dhe efektshmërinë i kanë princip.

• Në ndërmarrje publike do të vazhdojmë bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar për të siguruar një proces fer, të drejtë dhe profesional të zgjedhjes së anëtarëve të bordeve.

• Do të avancojmë shërbimet elektronike dhe digjitale sepse sa më pak ndërveprim që kanë qytetarët dhe bizneset me zyrtarë publikë, aq më shumë parandalojmë keqqeverisjen dhe korrupsionin.

• Në qeverisje lokale do të synojmë që ajo të jetë sa më afër qytetarit e sa më larg korrupsionit. Qeveria do të ndajë grantin e katërt qeveritar për komunat, sipas parimit të meritokracisë, të bazuar në performancë.

• Do të luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin si dhe do të bëjmë rishikimin funksional të drejtësisë ku tashmë veçse kemi bërë hapat e parë.

• Do të përgatisim ligjin për krimet e luftës, gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit.

• Do të avancojmë të drejtat e njeriut dhe sigurinë në komunitet si dhe do të finalizojmë miratimin e Kodit Civil.

• Do të themelojmë gjykatën komerciale dhe do të punohet për verifikimin dhe regjistrimin e saktë të pronave.

• Do të heqim monopolet dhe do të luftojmë evazionin fiskal në biznes dhe do të ofrojmë një mjedis të barabartë.

• Do të themelojmë Fondin Zhvillimor dhe do të rrisim qasjen në financa për të përkrahur ndërmarrësit.

• Do të transformojmë Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe do të krijojmë Fondin Sovran.

• Do të promovojmë politikat e turizmit duke mbështetur parqet nacionale, sikurse Malet e Sharrit.

• Do të përmirësojmë të drejtat e punëtorëve për punë dhe pagë të dinjitetshme duke fuqizuar sindikatat dhe duke rritur sigurinë shëndetin në punë.

• Do të rishikojmë politikat e sektorit të bujqësisë për të rritur prodhimtarinë dhe do të promovojmë ato duke ristrukturuar e përmirësuar punën e KIESA-s.

• Do të rrisim bazën prodhuese që ta zbusim deficin e madh tregtar duke rritur eksportet e zëvendesuar importet.

• Politikat tona tregtare do të jenë që tregu të liberalizohet, por edhe do të mbrohet nga konkurenca jolojale përmes parimit të reciprocitetit dhe masave tregtare.

• Arsimi dhe shkenca janë prioritet jo vetëm për të zvogëluar hendekun mes tregut dhe edukimit por edhe për të investuar në kapitalin njerëzor si pasuri kombëtare. Do të investojmë në edukimin e hershëm dhe në rritjen e cilësisë në shkolla të mesme e profesionale.

• Në shëndetësi do të punojmë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe do të funksionalizojmë fondin e shërbimeve shëndetësore.

• Do të fillohet me një reformë të politikave sociale e cila synon shpërndarjen e mirëqenies dhe përmirësimin e gjendjes së familjeve me fëmijë.

• Mjedisi do të mbrohet. Ndotja krysore vjen nga termocentralet dhe do të investohet në filtra, por do të punohet në rritjen e nxitjen e transportit publik për të reduktuar ndotjen nga makinat, do të punohet në pyllëzim dhe në mbrojtjen e ujrave si dhe në eleminimin e deponive të hapura.

• Investimet në infrastrukturë do të fokusohen në rrjetet e kanalizimeve, ujësjellësve, trotuarve dhe ndriçimeve për të rritur sigurinë, pastërtinë, dhe mobilitetin, por edhe në zgjerimin e rrugëve të cilat lidhin komunitetet.

• Do të punojmë në krijimin e një zone të përbashkët energjetike Kosovë – Shqipëri. Do të liberalizojmë dhe diversifikojmë burimet e energjisë si dhe do të ndalojmë humbjet e do të rrisim e stabilizojmë prodhimin.

• Do të investojmë në miniera dhe në asete tjera strategjike përmes Fondit Sovran.

• Do të investojmë në sport dhe do të promovojmë kulturën duke investuar në infrastrukturë dhe duke ofruar mbështetje.

• Synimi ynë është anëtarësimi në NATO prandaj edhe do të investojmë në mbrojtje që të rrisim kapacitetet e FSK-së.

• Shërbimi i jashtëm duhet të rishikohet në mënyrë që të garantojë përfaqësim të denjë për republikën.

• Njohjet dhe anëtarësimet në organizata ndërkombëtare janë prioritet për shtetin tonë.

• Anëtarësimi në BE mbetet prioritet kurse dialogu me Serbinë të jetë mirë i përgatitur e parimor, për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura.

• Mërgata do të jetë edhe brenda qeverisë. Barrierat e votimit jashtë dhe të mësimit në gjuhën shqipe do të lehtësohen si dhe do të rritet komunikimi e bashkëveprimi.