Armata prej sot përfshihet në sigurimin e objekteve me rëndësi vitale (Foto)

Shpërndaje

Pjesëtarët e Policisë Ushtarake në Armatën e Republikë së Maqedonisë së Veriut, sot aktivisht përfshihen në sigurimin e objekteve me rëndësi vitale, mes të cilëve Qeveria, Kuvendi dhe burgjet në Shkup.

Nga Ministria e Mbrojtjes informojnë se po bëhet riorganizimi dhe përforcimi i sigurimit të rezidencës së Presidentit me sigurim nga Armata. Sigurimi, theksojnë, do të kryhet në ekipe të kombinuara me njësitet e policisë.

“Dy ditëve të kaluara, pjesëtarët e Armatës me kolegët e tyre nga policia janë njoftuar me autorizimet, procedurat dhe detyrimet për kryerjen e kësaj detyre. Informojmë se pjesëtarët e Armatës , sigurimin e objekteve do ta bëjnë në uniformë ushtarake, ndërsa me vete do ta kenë armatimin personal”, sqarojnë nga MM-ja.

Sigurimi i këtyre objekteve po kryhet në koordinim të plotë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa është në bazë të Dekretit të Qeverisë për konfirmimin e detyrave të Armatës në periudhën derisa zgjat gjendja e jashtëzakonshme.

“Në këtë mënyrë, Ministria e Mbrojtjes dhe Armata po ndërmarrin një pjesë të obligimeve nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe mundësojnë që forcat e policisë t’i fokusojnë kapacitet e veta ndaj detyrave, qëllimi i të cilave është respektimi i masave të vendosura qeveritare për parandalim të përhapjes së koronavirusit”, theksohet në kumtesën e MM-së.

Armata dhe policia i investojnë kapacitete e përbashkëta të tyre në mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit publik.