Gjashtë raste të reja të Koronavirusit në Maqedoni, numri i përgjithshëm shkon në 18

Shpërndaje

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe sapo njoftoi se në Maqedoni janë shënaur sot pasdite 6 raste të reja me koronavirus.

“Sot janë testuar 12 persona. Prej tyre pozitiv janë gjashtë pacientë. Një paciente mbrëmë vonë ka ardhur me aeroplanin e Wizz Airit në Barcelonë. Ajo ka qenë e vetëdijshme se ka temperaturë dhe ka udhëtuar me maskë dhe me doreza”, deklaroi Filipçe.

Qeveria e Maqedonisë ka ashpërsuar masat për parandalim të Koronavirusit. Ministri Filipçe njoftoi se qeveria ka vendosur që kafitereitë dhe baret të mbyllen tërësisht dhe të mos punojnë fare. Poashtu është vendosur të mbyllen qendrat tregtare, me përjashtim të supermarketeve dhe shitoreve të produkteve ushqimore. Restorantet do të mund të punojnë me porosi online ose telefonike, ose mund të shesin ushqim por dorëzimin te klientët mund ta bëjnë vetëm jashtë restorantit.

Qeveria e Maqedonisë ka formuar Shtab kryesor për tu përballur me situatën, të cilin do ta udhëheqë kryeministri Oliver Spasovski, kurse anëtarë të shtabit do të jenë të gjithë nënkryetarët e qeverisë.