Profesoresha nga Tetova godet ‘burrat’ e politikës kosovare

Shpërndaje

Shkruan: Lulzime Xhelili Lazami

Ngjarjet e fundit politike që ndodhën ne Kosovë kanë shqetësuar gjithë ata që e ndjejnë veten për shqiptarë në Maqedoni, madje të gjithë shqiptarët e Shqipërisë e diasporës. Por mbi të gjithë, të zhgënjyer deri në palcë mbeti vetë populli i Kosovës që nuk arriti të gëzojë një udhëheqje të drejtë e të duhur ashtu si që ishte udhëheqja apo qeveria e Zotit Albin Kurti. Të mashtruar e të zhgënjyer mbetën edhe shumë ndërkombëtar dhe paqedashës amerikan të cilët i dhanë jetë, frymë dhe shpresë një Kosove të rilindur pas luftës së vitit 1999, ku të gjithë e dimë se çfarë ushtroi gjenocidi serb mbi këtë vend të çmuar dhe shumë patriotik.

Arsyet pse ndodhi rrëzimi i qeverisë së Kurtit në orët e vonshme të natës së 25 Marsit 2020, janë të shumta por ajo që të gjithë e dimë është se në historinë e popullit shqiptarë gjithmonë ka pasur të atillë “burra” që e shisnin Shqiptarinë për interesat e tyre shumë të imta personale duke u shitur patriotë para popullit të shkretë. Arsye që më shumë i jep peshë kësaj çështje është se disa politikan që e mbajnë veten për “shtylla të Kosovës” e harruan ndihmën që ua dha Amerika me presidentin e atëhershëm amerikan Bill Clinton bashkë me shumë fytyra të njohura për shqiptarët dhe botën anembanë si gjenerali Wesley W.Clark,politikani i njohur spanjoll Javier Sollana, profesori i mirënjohur amerikan Daniell Serwer i cili me keqardhje të madhe dha intervistën e fundit në “Jeta në Kosovë” duke shprehur dhimbjen e tij të madhe nga lëkundjet e mëdha në vend në një kohë pandemie botërore të Covid 19.

U harruan të gjithë këto fytyra ku dhanë jetë e shpresë për tu njoftuar e udhëhequr nga “një mik tjetër amerikan, Richard Granell”, i cili në fakt është i një bote të kundërt të asaj Kosove ku demokracia filloi të lulëzojë. Për fat të keq këta miq të rrejshëm e shfrytëzuan lakminë për pushtet si dhe vetëdijen e ulët politike të këtyre faqezinjve burra si Isa Mustafa, Hashim Thaçi e Ramushi për ta rrëzuar qeverinë e Albinit mu në këtë kohë të vështirë ku e gjithë bota po përballet me armikun më të madh e të padukshëm Coronavirusi, kohë në të cilën gjithë janë ngojuar e nuk mund të dalin në shesh për të shprehur pakënaqësinë.

Eh, tradhtia dhe hajnia e gjetën popullin në hamulli për ta rrëzuar Albinin. Por sa do të arrijnë që ta rrëzojnë Albinin në të vërtetë edhe ata vetë e dinë që kjo nuk do të ndodhë asnjëherë.