VV-ja i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për thirrjen e presidentit për rezistencë (Video)

Shpërndaje

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimit të presidentit Hashim Thaçi të datës 23 mars për mosrespektimin e vendimit të Qeverisë për kufizimin e lëvizjes, raporton Ekonomia Online.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Arbërie Nagavci tha se nuk është hera e parë që Thaçi bën thirrje të tilla që bien ndesh me Kushtetutën.

“Sapo dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë  së  veprimit të presidentit të Republikës së Kosovës të datës 23 mars kur ashtu sikurse e kemi ndjekur të gjithë në konferencën e tij në orët e vona të mbrëmjes bëri thirrje për rezistencë qytetare për mos zbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat emergjente të adresuara për menaxhimin e situatës me virusin Corona”.

“Ndonëse nuk është hera e parë që presidenti i vendit bën thirrje të tilla nxit për mosrespektim të Kushtetutës dhe ligjeve kësaj radhe, ai bëri një shkelje serioze duke nxitur qytetarët për mosrespektimin e aktit më të lartë juridik ndaj është obligim i yni si deputet të Kuvendit të Kosovës që këtë ta adresojmë në Gjykatën Kushtetuese”.

Ajo ka folur edhe për miratimin e Pakos Emergjente Fiskale, të miratuar mbrëmë nga Qeveria. Sipas saj, të gjitha vendimet e marra nga Qeveria janë në përputhje me ligjet në fuqi.

“Mbrëmë me kërkesën e kryeministrit në detyrë, është thirr mbledhja e Qeverisë dhe është miratuar pako emergjente që parasheh masat si për të ndihmuar kategoritë në nevoja të vështira si për të mbështetur bizneset në pagesën për pagat e punëtorëve  dhe  për ata që s’kanë pasur kontrata të punës me kushtin që ndërmarrjet të lidhin kontratë 1 vjeçare”.

“Janë edhe një varg masash që përkrahen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme këto janë bërë me propozimin e ministrit Bislimi. Besoj që sa i përket aspektit ligjor gjithçka është në rregull, sigurisht nevojat për të përkrahur qytetarët janë edhe më të mëdha dhe angazhimi i Qeverisë do të jetë të jetë sa më afër qytetarit. Qeveria në detyrë në vazhdimësi ka respektuar secilin ligj e obligim, eksiton një vendim që Qeveria në detyrë do të respektojë”./EO/