PËR AKADEMIKËT “AGJENTË” DHE KRIMINELËT “ATDHETARË”

Shpërndaje

REAGIM: PËR AKADEMIKËT “AGJENTË” DHE KRIMINELËT “ATDHETARË”

“Me gjakun e qenit nuk lahet gjaku i Imam Hysenit!”

(Naim Frashëri)

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Në lidhje me shkrimin sensacional: Lista ,,TOP SEKRET” e agjentëve Serb me kombësi Shiqiptarë të infiltruar në diasporën shqiptare!?”, të publikuar në disa portale në gjuhën shqipe dhe gjuhën maqedonase, si edhe nga disa grupe joformale në rrjetet sociale, lista e disa prej të cilave është shënuar në vazhdim të këtij reagimi.

Në këtë shkrim denoncues, porositësit dhe zbatuesit e tij e kanë përmendur edhe emrin tim, me çka obligohem për lexuesit dhe opinionin ta bëj këtë sqarim të shkurtë, duke mos pasur arsye të tjera për sqarime të hollësishme, duke marrë parasysh kontekstin kohor, njohjen e kësaj filozofie perfide të agjenturave, nivelin e ulët dhe denoncues të shkrimit dhe sidomos profilin e porositësve dhe autorëve të shkrimit dhe shpërndarësve të tij:

1. Akademia Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve, me seli në Nju Jork është themeluar më 28 nëntor 1995 nga një grup intelektualësh shqiptarë nacionalistë, të përndjekur nga ish regjimet komuniste në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi.

Anëtarë të kësaj Akademie janë me qindra intelektualë, të profileve të ndryshme shkencore, nga të gjitha trojet etnike shqiptare dhe nga Mërgata, në SHBA dhe Evropë.

Aktivitetin e saj, në bazë të Programit, Statutit dhe ligjeve pozitive të shteteve përkatëse, kjo Akademi e zhvillon edhe në Atdhe, në tërë hapësirën etnike shqiptare.

Akademia Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve, simotër e Akademisë me seli në Nju Jork, është e regjistruar si subjekt juridik vetëm në Maqedoni, me seli në Shkup, nga muaji prill 2016, e cila aktivitetin e saj e zhvillon në mënyrë legale në tërë hapësirën etnike shqiptare, jo vetëm në Maqedoni.

Procedura e regjistrimit ka rrjedhur në rrugë legale, sipas ligjeve të vendit dhe të së drejtës ndërkombëtare, në kategorinë e institucioneve kulturore dhe shkencore, si organizatë e jashtme. Pra, nuk është organizatë që vepron ilegalisht, siç thuhet në shkrimin e lartpërmendur.

Të gjithë anëtarët e Akademisë, me seli në Nju Jork dhe në Shkup, si dhe në degët e saj në Prishtinë apo Tiranë, janë personalitete publike, studiues të njohur, punonjës arsimi e shkence, artistë dhe veprimtarë të shquar, të njohur për opinionin. Secilin anëtar e obligon Statuti dhe Programi i Akademisë, të sillet në bazë të Kodeksit etik, të zhvillojë perimtari shkencore apo artistike, jo të zhvillojë veprimtari spiunazhi, apo ndonjë veprimtari tjetër jokombëtare, të pamoralshme, subversive dhe armiqësore.

Për veprimtarinë individuale, personale dhe private, në të kaluarën dhe sot, jashtë Akademisë, secili person mban llogari për veten e tij. Kategoria e përgjegjësisë kolektive nuk është e njohur dhe e pranueshme për botën akademike.

2. Në shkrimin denoncues përmendet tërthorazi edhe emri im, ndërsa emri dhe mbiemri i plotë jepen me numra, në bazë të Listës së anëtarëve të Akademisë në Nju Jork, të bashkëngjitur në shkrimin propagandues, ku mes tjerash thuhet: “Në listën më poshtëme tek pjesa “të tjerë” ndodhet emri i Flori Maxhun Bruqi, kordinator i Dr. Skënder Kodrës dhe Mentor Matës, për shoqatën e ashtuquajtur “Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave”, dhe Abdullai që ka mbaruar studimet ushtarake në Moskë.” (Çfarë marrëzie e shpifur në biografinë time! Shënimi im)

Meqë në këtë shkrim përfshihen edhe përmbajtje të këtilla, të cilat vetëm fantazia e sëmurë mund t’i shpif dhe mund t’u besojë, e gjithë përmbajtja e këtij shkrimi mund të kuptohet si shpifje, shkelje e rëndë e integritetit dhe dinjitetit personal, nderit dhe prestigjit familjar të secilit individ që shpifet pa argumente, apo me dëshmi të rrejshme në këtë shkrim “ekskluziv” dhe “sensacional”.

Lavdi marrisë!