Kurti: Sot jemi shumë më shumë, sepse sot jemi të gjithë bashkë si kurrë më parë

Shpërndaje

Albin Kurti ka rikujtuar rrugën e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë 15 vjetëve ekzistencë, ku pa dyshim se përmendi protestat e shumta që i karakterizojnë.

“Përgjatë këtyre 15 vjetëve kemi pasë shumë pengesa dhe kemi kaluar shumë sfida. Kemi marshuar qindra herë së bashku dhe përkrah njëri tjetrit – për atë që besojmë se është e drejtë, për atë që e dimë që është e vërtetë dhe për atë që na takon si qytetar, popull dhe komb”.

“Kanë rrahur dhe lënduar mijëra prej nesh. Kanë burgosur e malltretuar qindra prej nesh. Kanë vrarë disa prej nesh – sikur Mon Balajn dhe Arben Xheladinin më 10 shkurt 2007 dhe Astrit Deharin që e mbytën në burg më 5 nëntor 2016. Moni, Arbeni dhe Astriti janë dëshmorët e popullit për liri dhe kujtimi ynë për ta është i pashlyeshëm”.

“Kemi bërë rezistencë jashtë institucioneve, por edhe brenda tyre kundër atyre që pushtetin e përdorën dhe vazhdojnë ta përdorin për të shpërdoruar, t’u pasuruar dhe për të ndarë e përçarë. Kemi marshuar dhe protestuar kundër negociatave me Serbinë për çështje të brendshme tonat. Kemi marshuar dhe protestuar kundër Pakos së Ahtisaarit që krijonte eksterritorialitet fetar, decentralizim etnik që copëtonte komunat, nuk e bashkonte Mitrovicën dhe krijonte një parlament me mundësi vetoje të një pakice për të bllokuar shumicën”.

“Në opozitë kemi marshuar dhe protestuar kundër padrejtësive, por edhe kemi adresuar problemet e korrupsionit dhe krimit, shtetit të kapur dhe të varfërisë, pabarazisë dhe mungesës së zhvillimit ekonomik”.

“Në këto 15 vjet kemi ecur së bashku për shtet të pavarur, të së drejtës, social, zhvillimor, si dhe për afrim, integrim dhe bashkim me Shqipërinë, dhe para së gjithash për qytetarë që vetvendosin. Nganjëherë jemi rritur më pak e nganjëherë jemi rritur më shumë. Kurrë nuk e kemi shikuar qytetarin si numër për ta shtuar fuqinë, apo si votë për ta fituar pushtetin. Fitorja e Lëvizjes është mirëqenia e qytetarit, prandaj Lëvizja kurrë nuk fiton pa fituar qytetari, prandaj Lëvizja kurrë nuk ndalet për qytetarin, sepse qytetarët janë Lëvizja”.

Kurti në tubimin e sotëm ka thënë se sot e drejta dhe e gabuara janë të dukshme si asnjëherë tjetër, njofton Klan Kosova.

“Sot jemi shumë. Sot jemi shumë më shumë, sepse sot jemi të gjithë bashkë si kurrë më parë. Jemi bashkë për shtet të pavarur dhe sovran. Jemi bashkë për gjykata të pavarura dhe gjykatës profesionalë. Jemi bashkë për shtet të zhvillimit dhe mirëqenies. Jemi bashkë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jemi bashkë për të zgjedhur liderët që nuk na mashtrojnë dhe zhgënjejnë. Jemi bashkë për të ardhmen e fëmijëve tanë. Jemi bashkë për Mitrovicën, Trepçën dhe Ujmanin. Jemi bashkë për një qeveri që punon për të gjithë. Jemi bashkë për një shtet pa krim dhe korrupsion. Jemi bashkë për të zgjedhur një president që na përfaqëson të gjithëve, na nderon dhe lartëson me punën dhe dinjitetin e tij. Jemi bashkë për të mbrojtur të ardhmen e përbashkët që na pret dhe për Republikën që e duam”.

Ai ka thënë se Kosova është shtëpia e përbashkët e të gjithëve, duke shtuar se shteti duhet të punojë për secilin dhe për të gjithë njësoj.

“Shteti që duam ta kemi dhe të ardhmen që duam ta ndërtojmë tashmë i kemi zgjedhur së bashku”.