Mision armiqësor, apo dobësi e faktorit politik shqiptar?

Shpërndaje

Miq të nderuar, këtë shkrim duhet ta lexoni pa emocione, tani dhe pas formimit të qeverisë së ardhshme të Maqedonisë Veriore, kur do ta keni të qartë si drita e diellit gjendjen e rëndë në të cilën ndodhemi të gjithë së bashku.

MISION ARMIQËSOR, APO DOBËSI E FAKTORIT POLITIK SHQIPTAR NË MAQEDONINË VERIORE?

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Disa nga përgjigjet që nuk i japin partitë politike të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore edhe gjatë fushatave të tyre të zgjedhjeve parlamentare të 15 korrikut:

1. A do të zgjedhin vetëm kryeministër shqiptar, zëvendëskryeministër shqiptar, apo të dytë së bashku?

2. Sa mandate deputetësh mund të fitojë secila parti politike e shqiptarëve, koalicionet e tyre me parti të tjera, apo të gjitha partitë politike të shqiptarëve së bashku?

3. Meqë ende nuk është ndryshuar Ligji për Qeveri i Republikës së Maqedonisë Veriore, i cili do të mundësonte formimin e qeverisë edhe me 20-30 deputetë sa mund të fitojnë partitë politike të shqiptarëve maksimalisht në këto zgjedhje, është e pashmangshme që, cilido parti e shqiptarëve të fitojë numër më të madh deputetësh në Parlament, apo disa parti së bashku, nëse duan të bëhen pjesë e qeverisë së ardhshme janë të detyruara të bëhen partnerë, t’i bashkojnë forcat me njërin nga koalicionet më të mëdha të partive politike maqedonase dhe të bashkësive etnike pakicë, me LSDM-në ose OBRM-PDUKM-në. Prandaj, pse duhet të mungojë përgjigjja dhe preferenca e partive politike të shqiptarëve edhe gjatë kësaj fushate, për cilin orientim strategjik të shtetit janë; për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes me Bullgarinë për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë, apo për rikthimin e proceseve politike në pikën ku kanë qenë para vitit 2016? Përkatësisht, a janë partitë politike të shqiptare për njërin nga këto opsione politike të mëdha, në interes të shtetit, e që asnjëri nuk përkon me interesat strategjike të popullit shqiptar në këtë shtet, për barazi të plotë dhe shtet të së drejtës për të gjithë qytetarët, në të cilin nuk do të diskriminohet edhe më tej shqiptarët si pakicë kombëtare dhe qytetarë prej 20%?

4. Përderisa partitë politike të shqiptarëve, për të mbetur në skenën politike janë të detyruara të bashkëpunojnë pas zgjedhjeve me partitë politike joshqiptare, sipas kritereve që ato u diktojnë, jo sipas dëshirës së drejtuesve të partive politike të shqiptarëve, pse atëherë nuk guxojnë në asnjë cikël zgjedhor, së paku njëherë t’i bashkojnë forcat, ta unifikojnë votën shqiptare dhe ta forcojnë faktorin politik shqiptar në këtë shtet?!

Për të gjitha këto përgjigje të munguara, që duhet t’ia japin partitë politike të shqiptarëve, përkatësisht drejtuesit e tyre, jo më vonë se në fushatën e këtyre zgjedhjeve parlamentare të 15 korrikut, duhet të supozojmë se kanë vetëm një ARSYE të madhe: mosmarrjen e përgjegjësisë nga asnjëra nga këto parti politike për ndryshimin e gjendjes ekzistuese të qytetarëve që i votojnë dhe popullit që e përfaqësojnë, për këtë edhe e ndajnë votën shqiptare pikë e pesë, për t’u arsyetuar me numrin e vogël të deputetëve në disa parti dhe fuqinë e munguar të tyre në pushtetin ligjvënës dhe ekzekutiv, për mosrealizimin edhe të mëtejmë të të drejtave të munguara të popullit shqiptar në këtë shtet.

Uroj që ky të mos jetë MISION i partive politike të shqiptarëve, por një dobësi e paqëllimshme e tyre, papjekuri politike dhe vetëm dëshirë (sëmundje) për të qenë pjesë e pushtetit, pa mbajtur llogari për pasojat afatgjata që do t’i vuajnë shqiptarët në Maqedoninë Veriore, sot dhe në të ardhmen!

(27.VI.2020)