PARTITË POLITIKE DHE INTERESI KOMBËTAR

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Përderisa partitë politike nuk mund të identifikohen me kombin dhe shtetin, pse shqiptarëve në Maqedoninë Veriore gjithmonë u ofrohet ta hanë sapunin për djathë?

Drejtuesit e partive politike aktuale të shqiptarëve, nga fakti se:

– nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë mes vete, dëshmojnë se duan edhe më tej shqiptarët në këtë shtet të jenë sa më të përçarë në baza partiake, klanore e grupore, si dhe interesa të tjera politike e fetare;

– me lënien në harresë, heqjen dorë nga Platforma e partive politike parlamentare të shqiptarëve, e 7 janarit 2017, të nënshkruar nga vetë drejtuesit e këtyre partive, dëshmojnë se këto parti nuk janë serioze dhe nuk mund të realizojnë asnjë agjendë të përbashkët, qoftë edhe të nivelit të kësaj Platforme, të cilën e kemi vlerësuar me kohë si të pamjaftueshme, por të dobishme dhe optimale për rrethanat aktuale;

– me mosgatishmërinë, apo paaftësinë e drejtuesve të këtyre partive, që së paku t’i bashkërendojnë aktivitetet e veta përmes Tryezës së përbashkët, sipas marrëveshjes së nënshkruar nga vetë ata, si dhe zotimit të tyre për zbatimin e kësaj Platforme;

– me beteja të ndara në veprimtarinë e tyre partiake, në fushatat parazgjedhore dhe sidomos me pjesëmarrjen në pushtetin qendror dhe lokal, drejtuesit e këtyre partive vazhdojnë edhe më tej ta partizojnë interesin e përgjithshëm shoqëror dhe kombëtar të shqiptarëve, me tendenca të hapura, kur u jepet mundësia ta partizojnë edhe shtetin në bashkëpunim me partnerët e tyre të partive maqedonase, jo të ndërtojnë shtet demokratik dhe ligjor ku shqiptarët do të ishin popull konstituiv në Maqedoninë Veriore dhe faktor i rëndësishëm;

– me heshtjen dhe nënvlerësimin e çështjeve me interes të përgjithshëm, me tendenca të vazhdueshme për artikulimin e kërkesave partiake si kërkesa me interes kombëtar, këto parti i shkelin në mënyrë flagrante parimet themelore të demokracisë, vazhdimësinë e rezistencës së mëhershme kombëtare dhe traditat shtetformuese të shqiptarëve, duke promovuar vlera partikulare dhe dytësore, që nuk kontribuojnë me asgjë për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në këtë shtet;

– me faktin se anëtarësia e gjerë e këtyre partive, sidomos gjeneratat më të vjetra, nuk kanë lindur dhe as janë brumosur me programet e këtyre partive aktuale, por me filozofi politike ndryshe dhe traditën e mëhershme të lëvizjes politike të shqiptarëve, të rezistencën kundër ish-regjimit komunist jugosllav dhe të periudhës së mëvonshme të demokracisë, shumica nga këta anëtarë kanë ardhur në këto parti nga nënsqetullat e partive të mëhershme (PPD, PDP, PPDSH, PDSH e mbi 20-të parti të tjera), pa mbajtur llogari për dështimet individuale dhe grupore në të kaluarën, sikur faji gjithmonë duhet t’u takojë të tjerëve, kurse vetveten vazhdojnë ta promovojnë si politikanë të pafajshëm, të pagabueshëm, reformatorë, shpëtimtarë dhe engjëj të demokracisë;

– duke marrë parasysh se shumica e këtyre partive kanë qenë, disa më gjatë e disa më shkurtë, pjesë të pushtetit qendror dhe lokal, nëse jo në Qeveri kanë qenë në Parlament dhe në pushtetin vendor, ndërsa tendencat aktuale për demokratizimin e shoqërisë dhe të shtetit flasin për kahe jo të mirë, gjendje të paqëndrueshme dhe tepër të rënduar me probleme nga e kaluara, të cilat nuk ka arritur t’i zgjidh asnjëri pushtet deri më sot, ku kanë marrë pjesë edhe këto parti të shqiptarëve, flet qartë se diçka patjetër duhet të ndryshohet. Por, çfarë mund të ndryshohet në dobi të shqiptarëve nëse nuk ndryshojnë vetë partitë politike, të cilat i përfaqësojnë interesat e tyre në këtë shtet?

Përfundimisht, pa keqkuptime dhe hatërmbetje, lëvizja aktuale politike e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, e mbetur prapa edhe për shkak të gjendjes së përgjithshme të kombit shqiptar në përgjithësi, nuk mund të shkojë edhe më tej në këtë rrugë dhe me këto metoda të veprimit, tepër të papërgjegjshme, pa llogaridhënie dhe përgjegjësi historike për gjendjen e sotme të shqiptarëve dhe fatin e tij në të ardhmen.

Shqiptarët në Maqedoninë Veriore nuk e kanë komoditetin të eksperimentojnë pambarim me parti dhe liderë të këtij formati, duke e dëmtuar rëndë indin kombëtar për tri dekada me radhë dhe duke u lënë barë të papërballueshme brezave të ardhshëm.

Kombi dhe çështjet madhore të tij, shteti dhe të drejtat kombëtare, aspiratat historike dhe strategjia për të ardhmen nuk mund të mbeten vetëm në duar të disa klaneve të ngushta partiake, individëve dhe grupeve të interesit, përveçse ky popull ta ketë hequr nga mendja e tij interesin kombëtar dhe t’ia kenë shartuar në tru ndonjë filozofi të re politike, përmes propagandës së vazhdueshme, se partitë janë mbi këto interesa, ndërsa rruga, mundësia dhe zgjidhja e vetme për rimëkëmbje dhe zhvillim duhet të lidhet vetëm me këto parti politike dhe udhëheqësit e tyre, çfarëdo qofshin ata, nga cilado proveniencë ideologjike dhe cilido format intelektual, që ta mbajnë edhe më tej peng fatin e shqiptarëve, të sotmen dhe të ardhmen e tij në Maqedoninë Verore, dhe jo vetëm.