Po vjen Vetëvendosja edhe në Iliridë!

Shpërndaje

Nga, Medai Shaholli

Dje pasdite nga Prishtina erdhi sihariqi i madh që bëri bujë gjithandej ndër shqiptarët ku lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, deklaroi se, ”së shpejti do të ketë Vetëvendosje edhe në Maqedoni…”

Ky është lajmi më i mirë që ka ndodhur ndër shqiptarët në këto anë për më shumë se tri dekada sepse po krijohet një subjekt që do të mbrojë identitetin dhe barazinë kombëtare të shqiptarëve karshi uzurpatorëve në këtë shtet eksperimental siç është MV.

Opozita shqiptare dhe ato të koalicionit në MV gjatë gjithë ekzistencës dhe veprimtarisë së tyre në politikë nuk i kanë mbrojtur interesat kombëtare por kanë parë vetëm interesat e ngushta partiake të kënaqura me ”kockat” që ka ndarë pushteti për ta.

Kështu, Vetëvendosje do jetë zëri i fuqishëm paralajmërues i ”luftës” për liri dhe barazi kombëtare të shqiptarëve të nëpërkëmbur në këtë ”dërzhavë”.

DUI dhe forcat tjera politike shqiptare si Besa dhe AAA apo ASH me PDSH, kanë parë interesin e tyre partiak gjatë gjithë pjesëmarrjes së tyre në jetën politike të vendit dhe kanë çarë përpara vetëm sa ua kanë lejuar ata të kampit tjetër.

Ata duhet t’i gëzohen ardhjes së Vetëvendosjes këtu pasi ajo do t’i ”zgjojë” nga gjumi letargjik i tri dekadave të shkuara në rahatinë e tyre.

Për nga përcaktimi programor dhe ideologjik të gjitha subjektet tona politike në MV janë të djathta, ndërsa Vetëvendosje është lëvizje politike e orientuar majtas.

Kjo është risia këtë radhë që spektrit politik i shtohet një subjekt që anon majtas, ndryshe seç jemi mësuar në këto tridhjetë vite të pluralizmit politik në MV me krijimin e subjekteve politike të orientuara vetëm djathtas.

Paradoksi ynë është se për shumë kohë shqiptarët e MV, kanë patur alergji për të majtën si subjekt politik shqiptar, por që ky fiksim për të majtën nuk i ka penguar të votojnë për të majtën me preardhje nga komunizmi sllavo-maqednase siç është SDSM-ja.

Dallimi mes subjekteve politike shqiptare dhe Vetëvendosjes qëndron në programin e saj për liri dhe barazi kombëtare. Për shtet ligjor dhe të barabartë për të gjithë.

Për ekonomi të lirë të tregut por edhe për shtet social në mbrojtje të dy sektorëve si atij publik ashtu dhe për atë privat.

Këto angzhime nuk i gjen te asnjë subjekt tjetër politik që vepron në këtë shtet.

Dallimi mes qëndrimit të Vetvendosjes dhe subjekteve tona politike këtu është se këto subjekte nuk kanë qëndrime as ideale se për çfarë janë krijuar, por kanë parë interesa të ngushta për të zhvatur ndonjë ”kockë” nga pushteti.

Qëndrimi dhe votimi i ndryshimeve kushtetuese vitin e kaluar ku shqiptarët dhe gjuha shqipe ngelën në kushtetutë si bashkësi e 20% flet shumë për kurvërinë politike dhe tradhtinë kombëtare të subjekteve politike shqiptare.

Kjo është ajo që e dallon Vetëvendosjen nga subjektet e tjera politike sepse ajo nuk i shet interesat kombëtare në emër të integrimeve europiane e cila është tradhti kombëtare.

Lëvizja Vetëvendosje nuk shitet për para dhe të votojë ndryshimet kushtetuese siç bënë partitë tona shqiptare vitin e kaluar, por jam i sigurt nëse do ishtenë parlament si sbjekt i zgjedhur politik nga shqiptarët do të votonte kundër duke mbrojtur interesin kombëtar.

Ndaj, subjektet politike shqiptare kanë çfarë të mësojnë nga Vetëvendosja dhe jo ta imitojnë Albinin vetëm si figurë sesi ky lider është Albin i dytë i MV.

Një Albin Kurti nuk do votonte kushtetutën e re që votuan vasalët e partive shqiptare por do të ishte shembull i mbrojtjes së dinjitetit kombëtar ndaj na duhet një Albin si Albini në Kosovë dhe jo kopje të pështira të tij.