SHQIPTARËT DHE HISTORIA E PASHKRUAR E GADISHULLIT ILIRIK

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Shumë popuj të lashtë në rrjedhat e historisë i kanë ndryshuar emrat e tyre, ose janë quajtur ndryshe nga të tjerët, fiset dhe popujt e ardhur më vonë në trojet e popujve autoktonë.

Një numër i madh i popujve të lashtë dhe i gjuhëve të tyre janë zhdukur përfundimisht, ndërsa vetëm një numër i vogël kanë arritur t’u përballojnë dallgëve të historisë, luftërave, mortajave, shfarosjes ose asimilimit.

Ndër popujt më të lashtë që njeh historia e shkruar dhe pashkruar e njerëzimit në hapësirat e Gadishullit Ilirik dhe të Evropës janë shqiptarët, të cilët në mijëvjeçarë dhe shekuj gjatë historisë edhe e kanë ndryshuar emrin e tyre; shqiptarët e sotëm, nga pellazgët e lashtë, ilirët, dardanët, pajonët, epirotët, trakët, më parë janë njohur edhe sipas emrave të fiseve të tyre, ndërsa etnonimi shqiptar ka karakter etnik dhe historik, nuk ka karakter gjeografik, prandaj ka evoluar në formën e sotme: shqiptar, arbër (albanë, arvanitë, arbëreshë-ranautë); ndërsa edhe grekët e sotëm, të ardhur më vonë në këto hapësira, njihen gjithashtu me disa emra, ndër më të përhapurit janë atnonimi grek (Greqi) dhe helen-hellas (Helladë). Shqiptarët nga popujt tjerë quhen edhe si albanë (albani, albanezi, albanci, arnauti etj.), ndërsa shqiptarët mes vete quhet vetëm si shqiptarë, në trojet e veta etnike, në trojet e lashta të të parëve dhe kudo që janë në botë, por edhe si Arvanitë (Greqi), Arbëreshë (Itali dhe Kroaci), apo Arnautë (në Turqi, Siri, Egjipt dhe shtete të tjera).

Disa popuj, pas ardhjes së tyre në hapësirat dhe vendbanimet e tyre të sotme, më tepër kanë përvetësuar nga banorët vendës se sa kanë sjellë me vete, tradita, kulturë, besime fetare, mënyrë të jetesës, ndërsa kanë arritur ta ruajnë tiparin e gjuhës së tyre, që edhe sot e kësaj dite i përdorin si gjuhë të folura dhe të shkruara (kultivuara), për komunikim dhe afirmimin e identitetit dhe veçorive të tyre kombëtare.

Etnonimet e sotme të disa popujve të rajonit nuk lidhen me përkatësinë etnike, me prejardhjen dhe etnogjenezën e tyre, por edhe sot quhen sipas përcaktimeve gjeografike, emrit të territorit ku janë vendosur dhe vazhdojnë të jetojnë edhe sot. Në bazë të kësaj, sipas teorive moderne mbi kombet, popujt ndahen në dy grupime të mëdha, në kombe etnike dhe kombe politike, duke saktësuar qartë dhe me argumente shkencore se në grupin e dytë bëjnë pjesë kombet e reja, të formuara në rrethana të veçanta dhe për arsye më tepër politike dhe strategjike, jo në proces normal dhe si rrjedhojë historike, siç janë formuar kombet etnike. (…)

Gadishulli Ilirik (Ballkani), duke qenë nyja, udhëkryqi, porta hyrëse e dalëse dhe çelësi i lidhjeve mes kontinenteve, Evropës, Azisë, Afrikës, përmes tyre edhe me kontinentet e tjerë, historikisht ka qenë fushë e përplasjeve edhe mes civilizimeve të ndryshme, arenë e luftërave dhe konfrontimeve mes popujve vendës, autoktonë dhe të ardhur, mes vete dhe me pushtuesit nga jashtë.

Në këto hapësira janë krijuar edhe historitë e para të njerëzimit, mitologjitë, kulturat, shkrimet dhe besimet, kanë lindur perënditë dhe besimet e para pagane, si dhe besimet fetare të mëvonshme; këtu janë shkruar alfabetet dhe janë përhapur shkrimet e para, nga figurat, shenjat dhe simbolet e gdhendura në gurë deri te alfabetet dhe shkrimet moderne. Pjesa tjetër e botës, kulturat e tyre të lashta, shkrimet dhe besimet e tyre, si ajo kineze e mongole në Azi apo të majëve dhe inkëve në Amerikë, shumë pak janë njohur dhe përhapur në lashtësi, mes popujve në rajonin tonë. Sidoqoftë, të gjitha këto sot përbëjnë vlera universale, që i takojnë qytetërimit dhe gjithë njerëzimit të botës.

Interesat e ndryshme të Fuqive të mëdha botërore, të shteteve dhe popujve të ndryshëm, nga e gjithë kjo qiellnajë e vlerave historike e kulturore, sa njeh historia e shkruar e njerëzimit, më tepër ka krijuar mite dhe histori të rrejshme se sa të vërteta, sidomos për të kaluarën e lashtë të popujt dhe shteteve (mbretërive të lashta dhe shteteve të mesjetës). Deri më sot, njerëzimit të botës më shumë i janë ofruar të pavërteta, falsifikime, histori dhe vlera kulturore kryesisht të përvetësuara nga popujt e ardhur, duke shtrembëruar të vërtetën historike mbi banorët, popujt e autoktonë dhe Gadishullin Ilirik.

Referencat më të sakta që duhet të merren nga shkencat moderne duhet të jenë gjetjet arkeologjike, artefaktet, mbishkrimet, dëshmitë nga gërmimet arkeologjike në këto hapësira, por sa mund t’u besohet këtyre? Në bazë të përvojës së derisotme, as një përqindje e vogël e kësaj pune nuk është bërë në mënyrë të ndershme dhe profesionale, edhe ajo që është bërë është një manipulim dhe falsifikim ordiner i së vërtetën historike në emër të shkencës.

Gërmimet e derisotme arkeologjike dhe studimet mbi ato, në hapësirat ku kanë jetuar ilirët, dardanët, trakët, pajonët dhe fiset tjera të lashta, mijëra vjet më parë, të kryera nga institucionet shtetërore dhe studiuesit grekë, bullgarë, turq, serbë e të tjerë, nuk mund të jenë të besueshme, nga fakti i thjeshtë se, këta popuj kanë ndërtuar identitetet e tyre kombëtare dhe shtetet e tyre më vonë, sigurisht që pretendimi i tyre ka qenë, është edhe do të mbetet edhe në të ardhmen, ta dëshmojnë praninë e tyre nga lashtësia sa më e hershme. Për këtë arsye dhe me këto motive, ekspedita të shumta arkeologjike janë organizuar gati në tërë hapësirën e Gadishullit Ilirik, sidomos nga serbët, grekët, bullgarët dhe të tjerë, ndërkohë ka dëshmi të pakundërshtueshme se pjesa më e madhe e kulturës materiale, kudo që është gërmuar e gjetur është transferuar në qendrat e tyre dhe u ka shërbyer politikave zyrtare të këtyre shteteve për falsifikimin, përvetësimin dhe imponimin e të vërtetave të tyre, mbi këto baza kinse shkencore.

Në dekadat e fundit, kontrabanda dhe tregtia me artefakte është shndërruar në një nga bizneset më të përhapur dhe fitimprurës, mu për këto shkaqe. Si mund t’u besohet dëshmive të përhapura nga eksponatet e muzeve arkeologjike apo historike në Greqi, Bullgari, Serbi, apo vende të tjera, kur “dëshmitë arkeologjike dhe materiale” dihet botërisht se janë vjedhur dhe bartur nga vise të tjera, janë zhvendosur nga një lokalitet në tjetrin, nga një shtet apo qytet në tjetrin. Kjo nuk është temë dhe çështje e panjohur për studiuesit seriozë dhe shkencat bashkëkohore.

Çelësi për zgjidhjen e këtyre problemeve, të kësaj enigme, të shndërruar në mister për shkencën dhe qytetërimin e sotëm, nuk duhet të kërkohet asnjëherë në burimet “shkencore” dhe historitë e sajuara, falsifikuar dhe përvetësuara nga popujt e ardhur në këto hapësira, disa prej tyre nga mesjeta, por e vërteta e plotë mund të shpaloset vetëm nga autorë dhe institucione të jashtme, të paanshme dhe kredibile, me ndihmën e ekspertëve dhe studiuesve vendës, me ndihmën e gjuhëve vendëse dhe të arriturave shkencore relevante.

Me të drejtë e kanë thënë shumë studiues të jashtëm dhe vendës se, historia e vërtetë e Gadishullit Ilirik (Ballkanit), e Evropës dhe botës, do të shkruhet vetëm atëherë kur do të marrin pjesë edhe shqiptarët (studiuesit dhe institucionet shkencore kombëtare, jo të kontrolluara nga pushtetet jokombëtare dhe agjenturat e huaja), ndërsa gjuha shqipe do të shërbejë si çelës për zgjidhjen e shumë enigmave të derisotme, për shkencën dhe qytetërimin e sotëm.