Hetimi i Prokurorisë Publike për reklamat zgjedhore duhet të jetë transparent dhe jo-selektiv

Shpërndaje

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) reagon ndaj njoftimit të Prokurorisë Themelore Publike në të cilën ata informojnë se është hapur hetim për reklamimin politik të paguar nga zgjedhjet e fundit në disa prej online mediave që ishin regjistruar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve gjatë zgjedhjeve të fundit. Sipas Prokurorisë Publike dhe raportimin e mediave në lidhje me këtë rast, për momentin është duke u kontrolluar dokumentacioni në tre firma nëse tek ato është tejkaluar kufiri ligjor prej 15 mijë eurosh për reklamim në gjithsej nëntë portale ku është reklamuar partia politike OBRM-PDUKM.

Kërkojmë nga Prokuroria Publike që të ketë qasje të kujdesshme gjatë hetimit në mënyrë që të mos krijojë përshtypjen e publikut se hetimi është selektiv vetëm për një parti politike, sepse në regjistrin e KSHZ-së janë regjistruar 235 online media me politika të ndryshme editoriale dhe pothuajse gjysma e tyre nuk përmbajnë informata transparente për pronësinë e tyre. Përveç kësaj, hetimi duhet të jetë transparent dhe i paanshëm për të shmangur perceptimin se me veprime të tilla autoritetet e zbatimit të ligjit duan të frikësojnë online mediat profesionale.

Përkujtojmë se para miratimit të Kodit Zgjedhor, SHGM si partner në procesin e konsultimit të Ministrisë së Drejtësisë insistoi në heqjen e praktikës së propagandës politike të paguar në media. Në vend të rekomandimeve tona, partitë politike me konsensus edhe më shumë ulën kriteret që duhet t’i përmbushin online mediat për të aplikuar në KSHZ për program politik të paguar.

Për këtë rrezik nga korrupsioni, i cili është i lejuar me Ligjin Zgjedhor, SHGM disa herë ka paralajmëruar se kjo paraqet një rrezik i shpërlarjes së parave nga partitë politike përmes mediave fiktive.